Viktimat e Dhunës Seksuale pa Mbulueshmëri Financiare

Me 67 vota pro, 9 kundër dhe 1 abstenim, deputetet e Kuvendit të Kosovës, miratuan në lexim të dytë të enjten Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.

Por, disa deputetë u shprehen skeptikë lidhur me miratimin e këtij Projektligji, pasi që sipas tyre, Kuvendi nuk ka mundur të sigurojë ndarje të buxhetit për të kompensuar sadopak viktimat e përdhunuara gjatë luftës.

Projektligji në lexim të parë është miratuar vitin e kaluar.

Deputetja Alma Lama, pas përfundimit të seancës tha se ky ligj e kthen në një farë mënyrë dinjitetin  dhe e njeh statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por sipas saj e keqja këtu qëndron se nuk është miratuar buxhet i cili do t’u vinte në ndihmë viktimave të tilla.

“Unë personalisht jam në kontakt me shumë prej viktimave të dhunës seksuale dhe e di gjendjen e mjerë ekonomike me të cilën ato përballen, janë të papuna, të diskriminuara, të anatemuara nga shoqëria dhe për fat të keq sot Kuvendi nuk arriti që t’u sigurojë një buxhet”, tha ajo.

Sipas Lamës Komisioni për Shëndetësi kishte propozuar 74 milionë euro për të kompensuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, por sipas saj Qeveria është përgjigjur se nuk ka mjete për të siguruar këtë shumë.

Kurse, Time Kadriaj zëvendëskryetare  e parë e Komisionit për Shëndetësi, tha se miratimi i këtij ligji është një arritje e madhe.

“Kemi arritur ta miratojmë një Projektligj dhe për të instaluar një kategori që ka qenë e lënë pas dore, siç është kategoria e femrave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë”, tha Kadriu.

Ajo tha se në ligj është lënë një hapësirë kohore diku 4 vjet që viktimat të kenë mundësi për t’u lajmëruar.

Kadriaj u bëri thirrje publikisht atyre grave të cilat kanë qenë viktima gjatë luftës që të lajmërohen dhe të përfitojnë statusin që e parasheh ligji tash i miratuar.

Deputetja e LDK-së Lama, tha se duhet të krijohet një komision i cili do të identifikojë gratë të cilat janë të dhunuara dhe në bazë të këtij verifikimi viktimave që kanë nevojë financiare duhet t’u ofrohet mbështetje.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës kishte kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të përkrahin ndryshimin dhe plotësimin e ligjit të amendamentuar , që bën të mundshme njohjen e statusit të të mbijetuarave të dhunës dhe të abuzimeve seksuale gjatë luftës së armatosur të viteve 1998-1999 në Kosovë.

Një kërkesë të tillë e kishte bërë edhe organizata Ndërkombëtare Amnesty International.

!4:02

Deputetët Kërkojnë Përgjegjësi për Naftën me Sulfur

Deputetet e Kuvendit të Kosovës, të hënën gjatë kohës për deklarime jashtë rendit të ditës kanë ngritur problemin e rezultateve  të analizave të mostrave të naftës që vijnë nga laboratori italian i cili konfirmon se nafta e cila është përdorur për djegie në shkolla të Prishtinës, ka sasi të sulfurit prej 890,0 ppm, përderisa sipas Komunës së Prishtinës kufiri ligjor për sulfur në naftë në Kosovë edhe në Bashkimin Evropian është 10 ppm.

Deputetja Donika Kadaj- Bujupi e AAK-së dhe Alma Lama e LDK-së gjatë kohës për deklarime jashtë rendit të ditës kanë ngritur si problem çështjen e pranisë së sasisë së madhe të sulfurit në naftën për djegie e cila është përdorur nëpër shkollat e Prishtinës.

“Kur kam dëgjuar për herë të parë, kam qenë skeptike se në Kosovë edhe në Qeverinë Thaçi mund të ketë njeri, për më tepër një nënë që është në gjendje të korruptohet deri në shkallën e rrezikimit të shëndetit publik, përmes helmimit të fëmijëve me lëndë djegëse të kontrabanduara në Kosovë”, tha deputetja e AAK-së Donika Kadaj Bujupi para deputetëve.

Ajo tha se mostrat e dërguara në laborator në Itali kanë rezultuar që derivati i përdorur të jenë vaj për djegie dhe jo naftë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, të martën në një konferencë për media ka bërë të ditur se shkollat e kryeqytetit janë ngrohur me lëndë djegëse të rrezikshme, e cila ka përmbajtur nivel të lartë të sulfurit.

Ahmeti e tha këtë duke u bazuar në rezultatet e analizës së bërë në laboratorin “Watson Grey” në Itali, ku sipas këtij instituti vaji për djegie që është përdorur në shkollat e Prishtinës ka  përmbajtur 800 ppm (pjesë për milion) sulfur.

Në të njëjtën konferencë Ahmeti paralajmëroi ndërprerje të kontratës me kompaninë HIB Petrol, fituese e kontratës për furnizim me naftë për djegie për shkollat e Prishtinës, duke paralajmëruar edhe padi ndaj kësaj kompanie.

Padia, sipas kreut të Prishtinës do të bëhet për mashtrim ekonomik, pasi vaji për djegie është 30 për qind më i lirë se nafta e shfrytëzuar për këtë qëllim.

Edhe deputetja e LDK-së Alma Lama fajësoi kompaninë e kontraktuar për  naftën.

“Në bazë të informatave që kam, di që nafta e cila kapet nga kontrabanda që vjen nga veriu, krejtësisht e pakontrolluar depozitohet në HIB në sajë të një marrëveshje që ka bërë Ministria e Financave apo Doganat “, tha Lama.

Kompania HIB Petrol, të mërkurën hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke i kërkuar Komunës së Prishtinës që faji ta kërkojë në adresa tjera.

“Ne jemi në rregull, komuna të hetojë në oborrin e vet”, thanë në një konferencë për gazetarë përfaqësues të kësaj kompanie.

Deputetja Kadaj-Bujupi skandalin e naftës në shkolla e quajti një krim ekonomik që po përbën kërcënim dhe papërgjegjësi për shëndetin e fëmijëve tanë, ndërsa shtoi se asnjë kompani në Kosovë nuk është e licencuar për importin e vajit gazor.