Mbrojtja: Mladiq Nuk Ka Pasur Ambicie Gjenocidale

Gjatë ditës së tretë të paraqitjes së kërkesës për lirimin e Mlladiqit nga të gjitha akuzat për gjenocid në Srebrenicë dhe komunat tjera, si dhe të gjitha pikat e tjera të aktakuzës, avokati Dejan Ivetiq në Gjykatën e Hagës tha se prokuroria nuk ka vërtetuar asnjë nga pikat e aktakuzës.

Prokurorët thanë se kanë dëshmuar fajësinë e Mlladiqit për të gjitha pikat e aktakuzës. Mlladiqi akuzohet për gjenocid për vrasjen e 7,000 boshnjakëve në Srebrenicë pasi që Armata Serbe e Bosnjës kishte okupuar këtë enklavë më 11 korrik 1995.

Komandanti i kësaj armate gjithashtu akuzohet për persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnjë dhe Hercegovinë që ka arritur nivelin e gjenocidit në shtatë komuna, terrorizimin e civilëve në Sarajevë dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Paqeruajtësit ishin marrë peng kur NATO-ja kërcënonte me bombardime, para se të ndodhte Masakra e Srebrenicës.

Mbrojtja në anën tjetër mohon se ka pasur prova të mjaftueshme që dëshmojnë se Mlladiq ka pasur “qëllim gjenocidal” ndaj boshnjakëve nga Srebrenica si grup etnik.

Ivetiq gjithashtu ka thënë se në një mënyrë Mlladiqi madje ka kundërshtuar qëllimet e luftës serbe të Bosnjës, duke iu referuar fjalëve të tij në Kuvendin e Republika Srpskas, ku ai kishte thënë se “nuk do luftë me popullin boshnjak, ose kroat” por i lufton vetëm liderët e tyre ekstremistë.

Ivetiq tha se Mlladiqi nuk kishte pasur komandë ose kontroll ndaj njësive paramilitare apo policore që kryen krime në Bosnjë, duke sugjeruar që ata ishin në fakt nën komandën e ish-presidentit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiqit që gjithashtu është duke u gjykuar në Hagë.

Prokurori Dermot Groome tha se dëshmitë kanë treguar se krimet kundër joserbëve janë kryer nga paramilitarët dhe policia “në bashkëpunim me Armatën Serbe të Bosnjës’’.

“Pjesëmarrësit e kësaj fushate të përbashkët kriminale kanë vazhduar të përdorin paramilitarët për qëllimet e tyre dhe për vite të tëra e kanë ditur se ata po kryenin krime”, tha Groome.

Tensionet mes Mlladiqit dhe Karaxhiqit, sipas prokurorëve, përkundër mosmarrëveshjeve të rastit, “asnjëherë nuk rrezikuan qëllimin e një fushate të tillë kriminale”.

Duke komentuar pohimet e mbrojtjes se Mlladiqi kurrë nuk kishte urdhëruar që të kryhej ndonjë krim, gjyqtari kryesues Alphons Orie e pyeti Ivetiqin për bisedën e përgjuar ku komandanti i serbëve të Bosnjës kishte urdhëruar sulmin artilerik në lagjen “Pofaliqi” të Sarajevës në pranverë 1992, sepse “atje nuk kishte pasur shumë popullate serbe”.

Duke sfiduar autencitetin e incizimeve, Ivetiq pas konsultimit me të akuzuarin tha se Mlladiqi ishte shqetësuar për pakicën serbe në “Pofaliqi” se mos ata po viheshin në shënjestër të sulmeve “hakmarrëse” nga boshnjakët lokalë pas bombardimeve që u bënë.

Gjyqtari Orie tha se dhoma e gjykatës shpejt do të marrë vendim për kërkesën e Mlladiqit për lirim. Nëse kërkesa e tij refuzohet, ekipi mbrojtës i Mlladiqit do të duhej të fillojë të paraqesë rastin e tyre më 13 maj.

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice.