Kroacia E Konsideron të Pavlerë Kundërpadinë Serbe

Në kundërshtimin e tyre ndaj rastit të Beogradit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, avokatët nga Zagrebi thanë të martën se pavarësisht “manipulimit” të fakteve të luftës 1991-95, nuk është dëshmuar asnjë lloj gjenocidi kundër serbëve në Kroaci.

Të dy shtetet janë duke ngritur padi kundër njëri-tjetrit në gjykatën e mbështetur nga OKB-ja, me akuza për gjenocid.

Vesna Crniq-Grotiq, udhëheqëse e Ekipit Ligjor nga Kroacia, tha se pretendimet e Serbisë nuk ishin mbështetur me aktgjykime nga gjykimet për krime lufte në Tribunalin Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë.

“Kundërpadia [serbe] është plotësisht e pavlerë dhe nuk mbështetet nga Tribunali i Hagës,” tha Crniq-Grotiq.

Ajo e citoi aktvendimin e Tribunalit të Hagës lidhur me lirimin nga akuza të gjeneralit kroat Ante Gotovina, duke thënë se objektivat e Zagrebit gjatë kohës së luftës nuk “kanë përfshirë kryerjen e krimeve të persekutimit, shkatërrimit, plaçkitjes, vrasjes, veprimeve jonjerëzore dhe trajtimeve mizore”.

Crniq-Grotiq gjithashtu e mohoi se operacioni Stuhia i vitit 1995, ku ushtria kroate rimori pjesë të tokave që mbaheshin prej serbëve në rajonin Krajina të Kroacisë, konsiderohej të ishte spastrim etnik.

Ajo e citoi aktgjykimin e Tribunalit të Hagës për rastin Gotovina, në të cilin thuhej se “zyrtarët serbë të Krajinës po u thoshin banorëve që të largoheshin nga zona”.

“Operacioni stuhia ishte operacion që e ndaloi një veprim kriminal [të serbëve]”, tha ajo, ndonëse e pranoi se “është e vërtetë se gjatë atij operacioni ishin kryer krime”.

Crniq-Grotiq përfundoi se ekipi juridik i Serbisë “është duke e kërkuar mohimin e të gjeturave të Tribunalit të Hagës”.

“Disa prej zyrtarëve të lartë të Serbisë ende e mohojnë masakrën në Srebrenicë, diçka që ishte dëshmuar prej kësaj gjykate,” shtoi ajo.

Gjatë pesë ditëve të seancave dëgjimore në gjykatë në fillim të këtij muaji, Zagrebi pohoi se Serbia ka kryer gjenocid gjatë konfliktit të viteve 1991-95, duke deklaruar se Beogradi donte ta rrëmbente një të tretën e tokës së Kroacisë gjatë luftës së viteve të nëntëdhjeta dhe t’i largonte të gjithë kroatët.

Por Serbia pohoi se Kroacia nuk kishte arritur që të sillte asnjë provë për ta dëshmuar këtë si gjenocid, pas çka ajo kishte parashtruar kundërpadi në gjykatë, po ashtu duke pretenduar për kryerje gjenocidi.

Si Zagrebi ashtu edhe Beogradi kanë shprehur besimin se do t’i fitojnë rastet, por disa ekspertë kanë sugjeruar se asnjëra palë nuk do ta kenë të mundur ta dëshmojnë gjenocidin, dhe kanë shprehur shqetësime se procedura gjyqësore do t’i ftohë raportet mes dy fqinjëve.

Që nga themelimi i saj pas Luftës së Dytë Botërore, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka njohur vetëm një rast të gjenocidit – atë të masakrave të Srebrenicës në Bosnjë në vitin 1995.