Dënohet Për Ryshfet Zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (TV)

Bytyqi akuzohet se më 3 janar 2014 në restorantin “Te Gjyla” në Ferizaj ka kërkuar nga Ejup Elezi shumën prej 1 mijë e 500 eurosh kompensim për një operacion të kryer në spitalin turk, duke u zënë në flagrancë nga Policia e Kosovës.

Për operacionin e Elezit, sipas aktakuzës, Ministria e Shëndetësisë kishte paguar 4 mijë e 900 euro. Një pjesë të këtyre parave e kërkoi për vete zytari i dënuar i kësaj ministrie.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, shpjegoi për Gazetën Jeta në Kosovë, rastet kur pacientët e QKUK-së trajtohen nëpër spitalet brenda, ose jashtë vendit.

“Ministria e Shëndetësisë mbështet ndërhyrjet kirurgjike në spitalet private në vend, ose edhe jashtë vendit, vetëm në ato raste, kur të njëjtat ndërhyrje nuk ka mundësi të kryhen në QKUK dhe kur rastet rekomandohen me nënshkrimin e konsiliumeve mjekësore të QKUK-së se kanë nevojë për trajtim jashtë QKUK-së”, tha Hoti.

Një çështje  e tillë rregullohet me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2013 për Trajtim Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Bytyqi qysh në fazën fillestare ka pranuar fajësinë për veprën e bërë, duke kërkuar që në dënim ky pranim të të merret parasysh si rrethanë lehtësuese.

Por gjyqtari Agim Maliqi tha se “rrethanat lehtësuese janë minore në krahasim me rrethanat rënduese, përkatësisht rrethanat e kryerjes së veprës penale, rrethana mjaft të vështira me ç’rast i akuzuari shfrytëzoi gjendjen e rëndë shëndetësore të të dëmtuarit për përfitime materiale”.

Avokati Bajram Tmava ishte i pakënaqur me vendimin e shpallur.

“Gjykata pranimin e fajësisë nuk e ka marrë si rrethanë posaçërisht lehtësuese… dhe për këtë arsye do ta ankimoj aktgjykimin kur ai të marrë formën e prerë, pikërisht mbi këtë bazë”, tha Tmava.