Shkollat Ngroheshin me Vaj të Rrezikshëm e Jo Naftë (TV)

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se mostra e dërguar në një laborator ndërkombëtar ka sjellë rezultatin se lënda djegëse nuk është naftë, por vaj për djegie për të cilin asnjë kompani në Kosovë nuk ka licencë.

Ai tha se analiza e bërë në laboratorin “Watson Grey” në Itali ka rezultuar se vaji për djegie përmban 800 ppm sulfur, ndërkohë që norma e lejuar është 10 ppm (pjesë për milionë).

Po ashtu, laboratori italian ka theksuar se ky vaj digjet shpejt, sepse pika e djegies ka rezultuar të jetë nën 20 gradë celsius, ndërsa sipas ligjit duhet të jetë 56 gradë.

Ai tha se komuna është mashtruar me këtë rast nga kompania vendore “Hib Petrol”, e cila kishte kontratë me ish qeverisjen e komunës së Prishtinës.

 “Si pasojë e kësaj, komuna e Prishtinës me sot vendos të ndërpresë kontratën me Hib Petrolin dhe do t’i marrë të gjitha masat ligjore për padi në gjyq për mashtrim ekonomik, sepse çmimi i këtij vaji është diku 30 për qind më i lirë sesa çmimi i naftës. Këtu ka ndodhë, kisha me thënë një mashtrim dhe dëmtim i Komunës së Prishtinës, e cila ka një kontratë 1,5 milionë euro në vit dhe kjo do të thotë se ne jemi mashtruar për gjysmë milioni”.

Përmes një komunikate për shtyp, kompania HIB Petrol tha se nuk mban përgjegjësi për cilësinë e produkteve të cilave iu janë bërë analizat nga shkollat e jo nga rezervuarët e kompanisë.

Kompania hedh fajin te komuna e Prishtinës duke e mbajtur përgjegjëse për rezervuarët e shkollave për të cilat thonë se nuk kanë asnjë lloj sigurie apo mirëmbajtje.

“Kompania HIB Petrol në momentin që është akuzuar pa bazë nga qarqe të caktuara me qëllime të caktuara, e ka ngritur me vetiniciativë çështjen në organin kompetent, e cila ka filluar hetimet. Ky organ ka bërë verifikimin e rezervarëve të HIB Petrol, dhe i bëjmë thirrje këtij organi që të informojë këto qarqe me ato gjetje”, thuhet në komunikatë.

Kompania thotë se ka qenë transparente dhe është e vendosur ti shkoj deri në fund akuzave që po i bëhen.  

Kryetari Ahmeti shtoi se komuna do të verifikojë nëpër të gjitha shkollat se kjo lëndë do të largohet dhe të zëvendësohet me naftë të mirë.