Kontratë Kolektive me Ligjet e Republikës

“Sot së bashku jemi këtu për të nënshkruar kontratën kolektive të Kosovës si akt juridik që të rregullojë raportet ndërmjet punëdhënësit dhe punëmarrësit”, tha kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Kontrata përcakton themelimin e marrëdhënies punës, të drejtat,  obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit e punëmarrësit.

Ajo rregullon edhe orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, atë të lehonisë, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të punëtorit dhe mbrojtjen e ambientit në punë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë garantuese e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe do të sigurojë përmbushjen e të drejtave që u takojnë punëtorëve”, shtoi kryeministri Thaçi.

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës Haxhi Arifaj e quajti të rëndësishëm pikërisht faktin se këtë kontratë do ta zbatojë Qeveria e Kosovës.

“Rëndësia më e madhe është se për implementimin e kësaj kontrate është zotuar Qeveria e Kosovës, gjegjësisht kryeministri Thaçi”, tha Arifaj.

Nënshkrimin e kontratës drejtuesi i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu e quajti një kapitull të ri në historinë sociale të Kosovës.

“[Kontrata] po vjen në momentin më të duhur kur promovohet Fondi për Zhvillim, vjen në momentin kur fuqizohet ky fond me një mbështetje të pafund nga institucionet financiare ndërkombëtare”, deklaroi Gërxhaliu.

Ai kontratës kolektive ia përshkroi tri dimensione të rëndësisë: dimensionin social, dimensionin ekonomik dhe atë të përmirësimit të imazhit për vendin. 

Edhe Alush Gashi nga Këshilli Social i Kosovës nënshkrimin e kontratës e konsideroi ngjarje të madhe.

“Këtu është një mekanizëm për zgjedhjen e problemeve përmes arbitrazhit ose ndërmjetësimit që më parë nuk ka ekzistuar dhe prandaj për neve kjo është një ngjarje e madhe”, shtoi Gashi.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit kontratën e vlerësoi të dobishme për punëtorët.

“Nga analiza që ka bërë Aleanca e Biznesit në këtë kontratë kolektive, do të dalin nga buxheti i sektorit privat dhe publik,  brenda vitit më shumë se 174 milionë euro dhe këto do të shkojnë në xhepat e punëtorëve”, shtoi Shahini.

Një kontratë kolektive ishte hartuar nga UNMIK-u, misioni i OKB-së që drejtoi Kosovën në periudhën 1999-2008, gjatë viteve 2004-2007.

Alush Gashi nga Këshilli Social i tha Gazetës Jeta në Kosovë se kontratat e atëhershme është bërë me ligjin e punë së UNMIK-ut. Kontrata e nënshkruar të hënën bazohet në Ligjin e Punës të vitit 2010.

“Ligji i Punës së vitit 2010 është më i mirë në krahasim me ligjin e punës së miratuar në kohën e UNMIK-ut”, shpjegoi Gashi.