Kosovarëve u Ndalohen Luftërat Jashtë Vendit

Me 48 vota, pro 10 kundër dhe 4 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi, gjatë prezantimit të projektligjit tha se qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e  interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare.

“Është vërejtur një trend i rritjes së numrit të individëve të cilët me qëllim të realizimit të përfitimit të sferave të tyre të interesit po bashkëngjiten në formë të organizuar, ose të pavarur në kryengritje, ose konflikte të ndryshme jashtë vendit”, tha Rexhepi gjatë arsyetimit të Projektligjit.

Ai shtoi se personat që marrin pjesë nëpër këto konflikte po bëhen të rrezikshëm, edhe kur po kthehen në atdhe.

“Personat e tillë pas kthimit po bëhen bartës ta aktivitetit propagandistik dhe nxitjes së të tjerëve për bashkim, ose pjesëmarrje në konflikte të tilla”.

Kundër projektligjit u deklaruan deputetë të Vetëvendosjes dhe Partisë së Drejtësisë.

“Në bazë të nenit 2 pikës 2, nëse do të shpërthejë lufta në Luginë të Preshevës, atëherë atje do të mund të luftojnë serbët e Kosovës, por jo edhe shqiptarët e Kosovës”, tha Albin Kurti.

Kurti e tha këtë, pasi projektligji nuk ua ndalon pjesëmarrjen në konflikte të tilla personave që kanë shtetësi të një shteti tjetër.

Sipas Kutit edhe “nëse do të sulmohet Shqipëria do të na e ndalojë ligji që ta mbrojmë atë, prandaj ky Projektligj është antishqiptar dhe kurrsesi nuk duhet pranuar që të votohet”, shtoi Kurti.

Gëzim Kelmendi nga Partia e Drejtësisë tha se subjekti i tij do të votojë kundër, sepse sipas tij ky projektligj është kundërkushtetues.

“Ky ligj është paragjykues sepse paragjykon se ata persona të cilët do të kthehen nga konfliktet do të shkaktojnë trazira në vendin tonë”, deklaroi Kelmendi.

Kundër projektligjit u deklaruan edhe Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Amir Ahmeti, deputet i pavarur dhe Jeton Svirca nga Partia e Drejtësisë.

Deputetët e grupeve tjera parlamentare përkrahën në parim projektligjin, por rekomanduan disa ndryshime.

“Nuk mund të cilësohet njëjtë ndihma vullnetare e shtetasve të Kosovës bashkëkombësve të vet jashtë kufijve me atë kur shtetasit e Kosovës përfshihen në konflikte apo luftëra që nuk kanë të bëjnë me interesat shtetërore dhe nacionale, e që me këtë projektligj janë të vendosura në ato korniza”, tha deputeti i LDK-së Anton Çuni.

Deputeti Ahmet Isufi në emër të Komisionit për Sigurinë e Kosovës dhe në emër të AAK-së i ftoi deputetët që ta votojnë projektligjin.

” Tani në konflikt jashtë vendit kemi njerëz të sakrifikuar pikërisht për shkak të organizimeve të ndryshme të cilat po ndikojnë që të sakrifikohen qytetarët pa nevojë”, tha Isufi.

Projektligjin e përkrahën edhe PDK-ja dhe AKR-ja në pushtet.

Ministri Bajram Rexhepi tha se iniciativa është marrë për përcaktimin e veprave penale të bashkimit apo të pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore dhe në organizimet grupore ose individuale jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Projektligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, nuk do të vlejë për strukturat e sektorit të sigurisë së Republikës së Kosovës të cilat në bazë të ligjit veprojnë jashtë territorit të shtetit.