Akuzohen Deklaruesit e Pasurisë së Rrejshme

Zyrtarët që kanë deklaruar rrejshëm pasurinë në Agjencinë Kosovare Anti-Korrupsion janë akuzuar nga prokuroritë e Kosovës në pothuaj të gjitha rastet e raportuara.

Laura Pula, Koordinatore Kombëtare Kundër Korrupsionit tha se nga 29 raste të raportuara për deklarim të pasurisë së rrejshme janë ngritur gjithsej 27 aktakuza.

Ajo tha se që nga nëntori i vitit të kaluar e deri në fund të shkurtit të këtij viti rreth 40 prokurorë janë angazhuar për t’u dhënë prioritet lëndëve të korrupsionit.

Këta prokurorë, sipas Pulës, kanë ngritur 83 aktakuza ndaj 196 personave. Pula përmendi rastet gjyqësore kundër korrupsion nëpër Prokuroritë Themelore të Kosovës. 

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ushtruar nëntë aktakuza ndaj 18 personave, Prokuroria Themelore në Pejë ka ushtruar 14 aktakuza kundër 20 personave, Prokuroria Themelore në Gjilan 17 aktakuza ndaj 38 personave”, tha Pula, për të përmendur edhe rezultatet e prokurorive tjera.

Sipas saj, “Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur 13 aktakuza kundër 13 personave, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur 15 aktakuza kundër 38 personave, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur 6 aktakuza ndaj 6 personave dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj 8 aktakuza kundër 50 personave”.

Krahas prokurorive nëpër komuna, edhe Prokuroria Speciale e Kosovës, sipas shënimeve të Pulës ka ngritur një aktakuzë kundër 13 personave.

Prokurorja këto të dhëna i bëri publike në një konferencë për gazetarë në Prishtinë, të premten.

Pula bëri të ditur se tetë persona nga të akuzuarit janë të punësuar në nivelin qendror të qeverisë, ndërkaq nëntë persona të akuzuar janë zyrtarë të agjencive të ndryshme qeveritare.

Nga Policia e Kosovës, tha ajo, janë akuzuar tetë persona, gjashtë të akuzuar punojnë në institucionet publike shëndetësore dhe katër në Administratën Tatimore të Kosovës.

Në nivelin lokal mësohet se për vepra korruptive është akuzuar një kryetar komune, dy nënkryetarë komunash, dy drejtorë, tre këshilltarë dhe pesë zyrtarë komunalë.

Ndërkohë, përveç një prokurori, në kuadër të sistemit gjyqësor e prokurorial të Kosovës, janë të akuzuar edhe tre zyrtarë të administratës.

Të akuzuarit e tjerë janë punonjës të ndërmarrjeve publike dhe kompanive private, ndërsa janë të akuzuar gjithashtu edhe 14 qytetarë.

“Duke ia shtuar edhe numrin nga Prokuroria Speciale e Kosovës ku është i akuzuar një gjyqtar, gjashtë avokatë, dy juristë, katër mjekë përmbushet numri prej 196 personave të akuzuar në këtë periudhë kohore”, tha Pula.

Pula në konferencë nuk publikoi identitetin e të akuzuarve.