Prokuroria: Limaj të Mos u Afrohet Dëshmitarëve dhe Ministrisë (TV)

Prokuroria Speciale e Kosovës përfaqësohej nga pesë prokurorë, duke përfshirë edhe kryeprokurorin Jonathan Ratel dhe prokurorin e çështjes Johanes Pikcet.

Seanca për përcaktimin e masave të ndalimit ishte e mbyllur për publikun. Seanca udhëhiqej nga gjykatësja Ana Adamska Gallant.

Pas seancës, Tomë Gashi, avokati i Fatmir Limajt, deklaroi se “kërkesa e prokurorëve ka qenë që ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve të imponohet masa moskontaktimi në mes të akuzuarve, moskontaktimi në asnjë formë me dëshmitarë të caktuar dhe mosshkuarja e tyre në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, ku ka qenë zotëri Limaj ministër dhe të tjerët kanë punuar në atë ministri”

Ai shtoi se “prokurori është vonuar në këtë kërkesë, ku përpos që është kërkesë joligjore ka pasuar pas katër ose pesë vjetëve të hetimit të plotë dhe ngritjes së dy aktakuzave”.

Në fund avokati tha se beson që mbrojtja e ka bindur gjykatën që të mos i caktojë masat e kërkuara nga prokurori.

Sipas avokatit Gashi, gjykata pritet të vendosë me shkrim brenda kohës së caktuar.

Askush nga prokuroria nuk është deklaruar pas përfundimit të seancës.

Më 6 mars Gjykata e Apelit vendosi që rasti i parë i MTPT1 kundër Fatmir Limajt, Nexhat Krasniqi, Endrit Shalës dhe Florim Zukës të gjykohet për disa vepra penale.

Fatmir Limaj do të ngarkohet për: krim të organizuar, shpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritetit, marrje të mitës dhe mosdeklarim të marrjes së parave të fushatës.

Endrit Shala dhe Nexhat Krasniqi do të gjykohen për tri veprat e para me të cilat ngarkohet edhe Limaj, ndërsa Florim Zuka do të gjykohet për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe dhënie të mitës.

Fatmir Limajt dhe Nexhat Krasniqit Prokuroria Speciale ua ka ngritur edhe një aktakuzë po për rastet nga ish-Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit.

Ata së bashku me Shpëtim Talakun, Ali Aliun dhe Beqir Dedën po akuzohen për krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje të mitës dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin.