Projekligji Për Veteranët Kalon Pas Debatit të Gjatë

Pas një debati të gjatë parlamentar në mes të grupit parlamentar, me 71 vota pro, 3 kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në lexim të parë Projektligjin për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Thaçi gjatë paraqitjes së Projektligjit tha se ai është përgatitur nga Zyra e Kryeministrit dhe është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi .

Projektligji është miratuar nga Qeveria më 22 janar 2014, duke u aprovuar nga shoqatat e UÇK-së.

“Qëllimi është përcaktimi i të drejtave dhe beneficioneve të veteranëve të UÇK-së dhe anëtarëve të ngushtë të familjeve tyre si dhe procedurat administrative për realizimin e këtyre të drejtave në beneficione të përcaktuara me këtë ligj”, tha Thaçi.

Debati më i madh parlamentar u zhvillua në mes të deputetëve të LDK-së dhe PDK-së,  pasi që deputetët e LDK-së kërkuan që në Projektligj të futet edhe ish-Ministria e Mbrojtjes, e themeluar pas zgjedhjeve të vitin 1992 në Koosvë që nuk u njohën ndërkombëtarisht.

Deputeti i partisë më të madhe opozitare Anton Çuni që luftoi në luftën e viteve 1998-1999 tha se Projektligji për veteranët e  UÇK-së duhet të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë ata që me të vërtetë janë veteranë dhe nuk duhet të jetë përjashtues në aspektin kohor organizativ.

“Më konkret në nenin 3 në pikat 1.2, 1.3, 1.4, 1,5. duhet krahas komandave të zonave dhe shtabit të përgjithshëm të radhitet edhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës si një ndër aktorët e rëndësishëm të organizimit, mobilizimit, mbështetjes dhe ekzekutimit të operacioneve për çlirimin e territorit të Kosovës”, shtoi Çuni.

Edhe Sali Morina nga LDK-ja kërkoi që në proektligj të përfshihet ish-Ministria e Mbrojtjes.

 “Shumë njerëz të asaj ministrie të mbrojtjes hynë në këtë ministri, shtab, organizim dhe dolën nga lufta si UÇK me një organizim unik dhe mos të mohohet puna e kërkujt për ata që ka dhënë kontribut”, tha Morina.

Projektligji për veteranë pa numrin e veteranëve

Kryekuvendari Jakup Krasniqi, kërkoi që nga ky projektligj të mos marrin benifitet njëjtë sikur ata veteranë që kanë pozita të ndryshme në shoqëri dhe të tjerëtqë nuk kanë asnjë vend të punës.

“Unë mendoj se komisioni përkatës duhet që sa më parë ta bjerë numrin e atyre që kanë luftuar, edhe më ngutshëm duhet ta dimë numrin e atyre njerëzve, atyre veteranëve që vërtet jetojnë në kushte të vështira dhe nuk e meritojnë atë jetë”, tha Krasniqi.

Komisioni për verifikimin e atyre që luftuan është themeluar në nëntorin e vitit 2012, por ende nuk ka dalë me numrin e saktë të luftëtarëve.

Edhe Faton Topalli i  Vetëvendosjes tha se ky grup e përkrah në parim këtë ligj

“… jo pse ligji është i mirë, jo pse garanton mbështetje përmbajtësore, por për shkak se përkrahjen e këtij ligji e kanë kërkuar shumë veteranë të UÇK-së”, tregoi arsyet e votimit të Ligjit, Topalli.

Deputetja Time Kadrija duke folur në emër të  AAK-së se ky subjekt e mbështet projektligjin, tha se tani janë 15 vjet që këta njerëz të ndershëm kanë mbetur pa mbështetje.

“Kryeministër për shkak të mostrajtimit adekuat të kësaj kategorie të luftës, sot kemi 50 raste të vetëvrasjeve të veteranëve të UÇK-së”, shtoi ajo.

Rexhep Selimi deputet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ish-ushtar i UÇK-së, kontestoi kohën e paraqitjes së këtij ligji për votim.

“Nuk kemi se si t’i shmangemi edhe karakterit që ia ka dhënë Qeveria krejt kësaj pune, e ajo është që veteranët janë kthyer në një mjet shumë të përshtatshëm për ta, e ai është mjet elektoral”, tha Selimi.

Sipas tij “e njëjta qeveri ka qenë në pushtet që nga viti 2007 dhe asnjëherë nuk e ka sjellë këtë ligj të veteranëve, megjithë kërkesat e tyre”, shtoi Selimi.

Deputetja e PDK-së Salihe Morina tha se edhe partia në pushtet e përkrah këtë projektligj.

Veteranët sipas projektligjit të bërë për ta, përveç pensioneve do të gëzojnë edhe beneficione të tjera,  si shtesa në pensionin e pleqërisë, të drejta në përparësinë për punësim, të drejta për riaftësim profesional, përkujdesje për banim, lirim nga pagesat administrative në shkollimin universitar publik dhe beneficioneve të tjera.

14:16

Disa Deputetë Refuzojnë Rritjen e Pagave Nga Qeveria

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha të enjten në kuvend se rritja e pagave dhe pensioneve është e jashtëligjshme. Deputetët e PDK-së përshëndetën këtë rritje, por Suzan Novobërdali nga AKR-ja i kërkoi qeverisë rishikimin e vendimit. Disa ligjvënës thanë se nga rritja përfitojnë ministrat e deputetët.

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami hoqi dorë nga marrja e pagës me rritje, pas një replike me kryeministrin Thaçi në seancën e Kuvendit të enjten.

Qeveria e Kosovës rriti të hënë për 25 për qind pagat e të gjithë shërbyesve civilë. Njësoj u rritën edhe pensionet, përveç atyre të minatorëve të Trepçës që do të jenë më të mëdha për 50 për qind.

Vendimi i qeverisë pritet të fillojë së zbatuari nga 1 prilli, në vitin kur do të mbahen zgjedhjet nacionale.

Deputetja Bajrami tha se do ta marrë pagën pa rritje, ngase sipas saj deputetët do të marrin 350 euro më shumë në muaj, ministrat 300, ndërsa pensionistët dhe kategoritë tjera sociale vetëm 15 euro më tepër.

“Unë publikisht heq dorë nga kjo rritje sepse mendoj, se as unë as një koleg i imi këtu, as i yti në kabinetin qeveritar nuk mendon që të ketë një rritje kaq të madhe dhe kaq difererencuese me kategoritë tjera”, tha Bajrami.

Kryeministri Thaçi, kur para dy ditësh në një konferencë për gazetarë prezantoi këtë rritje pagash, nuk përmendi se ato do t’u rriten edhe ministrave dhe deputetëve. Gazeta i dërgoi pyetje edhe Zyrës së Kryeministrit për këtë çështje, por kjo zyrë ende nuk ka kthyer përgjigje.

Deputetja Bajrami tha se si deputete do të ketë rritje 23 herë më shumë sesa një pensionist dhe 20 herë më shumë si profesoreshë, në krahasim me një person të dalë në pension.

Heqjen dorë nga rritja e pagave e paralajmëruan edhe Ismet Beqiri e Alma Lama nga LDK-ja, Gëzim Kelmendi e Suzan Novobërdali nga Koalicioni Kosova e Re dhe Ardian Gjini e Ahmet Isufi nga AAK-ja.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi vendimin e Qeverisë për rritje pagash e cilësoi të paligjshëm.

“Ai vendim ka të bëjë me ndryshimin e një shume të caktuar të buxhetit të Kosovës dhe vendimi përfundimtar për rritjen e pagave duhet të merret në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi në Kuvend.

Por, kryeministri Thaçi i kundërshtoi të gjithë ata që thanë se me këtë vendim përfitojnë  vetëm deputetët dhe ministrat.

“Kjo rritje është e gjithanshme, ndërsa unë ndihem krenar me këtë vendim sepse punëtorët kosovarë kanë marrë ndihmë sociale dhe nuk janë konsideruar si punëtorë”, tha Thaçi.

Kreu i ekzekutivit shtoi se nëse deputetët e Kuvendit vendosin të mos e pranojnë këtë rritje, ai i pari dhe qeveritarët e tjerë do të tërhiqen prej saj.

“Ndërsa le të deklarohet edhe Kuvendi i Kosovës, kam shpresë se edhe Presidentja e Kosovës do ta mbështesë këtë vendim për të hequr nga kjo rritje pagat për deputetë”, shtoi Thaçi.

Ardian Gjini kundërshtoi momentin e rritjes së pagave, duke thënë se pasi Qeveria e ka hartuar Ligjin për Buxhet, pse nuk e bëri këtë rritje në kohën kur ky ligj u miratua në Kuvend.

Projektligji për buxhetin u miratua nëntorin e vitit të kaluar.

“Pyetja është pse nuk u ka ra në mend atëherë kjo rritje e pagave kësisoj, por u ka rënë në mend tash”, shtoi Gjini.

Edhe deputetë tjerë të opozitës, por edhe nga ata të partnerit të vogël qeveritar-AKR-së, kundërshtuan një rritje të tillë.

Deputeti i VV-së Florin Krasniqi tha se nuk do të marrë asnjë cent të pagës që i takon si deputet.

Aktualisht deputetët ndodhen në pauzë. Seanca pritet të vazhdojë në orën 15:00.