Policia Nuk Zbaton Ligjin për Klasifikim të Informacionit

“Është vërejtur  një tendencë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës për moszbatim të Ligjit për Klasifikim të Informacionit”, tha Burim Ramadani i AAK-së, anëtar i Komisionit për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë të mërkurën.

Ligji për Klasifikim të Informacionit zbatohet ndaj të gjitha institucioneve publike që ushtrojnë kompetenca ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore, si dhe ndaj Presidencës së Kosovës.

Sipas Ligjit, pjesëtarët e institucioneve publike që kanë qasje në dokumentet e klasifikuara, duhet ta kenë lejen e sigurisë. Një leje e tillë lëshohet nga Autoriteti Verifikues i AKI-së.

Leja e sigurisë u lëshohet personave të cilët pas kryerjes së një verifikimi konsiderohen të pranueshëm për sigurinë, thuhet në nenin 25 të Ligjit për Klasifikimin e Informacionit.

Ramadani pas mbledhjes së Komisionit tha se në MPB e polici punojnë edhe persona që kanë marrë vlerësim negativ, ose kanë rënë, kur u është bërë verifikimi.

Personat e tillë sipas nenit 27, pikës 7 të ligjit thuhet se duhet të transferohen menjëherë në pozita të barasvlershme në të cilat nuk kërkohet verifikim sigurie. Por ata sipas anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së vazhdojnë të punojnë në vendet ku kanë qasje në dokumente sekrete.

Këtë gjë Fadil Demaku, nënkryetar i Komisionit nga PDK-ja, e quan shkelje ligjore.

“Në Policinë e Kosovës nuk e kanë zbatuar ligjin”, tha Demaku.

Neni 28 i ligjit e përcakton se një personi të konsideruar si rrezik të papranueshëm për sigurinë i lëshohet vendim me shkrim i cili ia mohon lëshimin e lejes së sigurisë.

Ai person mund të paraqesë ankesë ndaj një vendimi të tillë brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita kur ai/ajo është njoftuar për vendimin.

Në MPB dhe Polici thonë se këta punëtorë nuk janë larguar për faktin se janë ankuar.

“Në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë ndërmarrë masat, por, disa prej tyre përkundër kësaj, i ka kthyer mbrapa Komisioni i Pavarur Mbikëqyrës dhe Gjykata”, janë përgjigjur me shkrim për Gazetën jeta në Kosovë, zyrtarë të Ministrisë.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës Brahim Sadria tha se për rastin e këtyre punëtorëve janë duke pritur vendimin  e gjykatave.

Florin Krasniqi, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen  e AKI-së tha se procesi i verifikimit ka shkaktuar shqetësim te pjesëtarët e policisë.

“Ne nuk e lëmë agjencinë gjithmonë me qenë e pavarur, me vendos për këtë, ne jemi për të mbikëqyrë agjencinë, kështu që ne do të jemi të kujdesshëm që njerëzve të cilët kanë rënë në këtë verifikim nuk u është bërë e padrejtë”, tha Krasniqi.