75 vjeçari Nuk Pranon T’ia Kthejë Borxhin KEK-ut (TV)

Plaku 75 vjeçar Zeqir Bytyqi është paditur nga KEK-u për kthimin e borxhit në shumë prej 149 eurosh.

Sipas padisë së KEK-ut, Zeqir Bytyqi, i ka borxh kësaj kompanie këtë shumë parash, pasi është zënë duke keqpërdorur energjinë elektrike. Padia bazohet në aktgjykimin penal të Gjykatës Komunale në Suharekë.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari është gjetur fajtor, sepse me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, nga data e pacaktuar deri më 21 janar 2010 në shtëpinë e tij ka liruar urën e parë matëse të orës së rrymës.

Pas këtij veprimi energjia e shpenzuar elektrike nuk është regjistruar, ndërsa në këtë mënyrë i është shkaktuar dëmi Korporatës, thuhet më tutje në aktgjykim.

Për vjedhje të rrymës, i moshuari u dënua më 31 janar 2012 nga Gjykata Komunale e Suharekës me 100 euro gjobë.

Tash KEK-u në padinë e tij kërkon që energjia elektrike e vjedhur nga i moshuari t’i kompensohet.

Borxhi është shkaktuar duke vjedhur energjinë elektrike. I njëjti është shpallur fajtor me aktgjykim penal të datës 31.01.2012 dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumë prej 100 €, për veprën penale të vjedhjes.

Por Zeqir Bytyqi në asnjë mënyrë nuk pajtohet me borxhin që ia kërkon KEK-u, ai thotë që nuk e ka prekur orën kurrë.

“Kurrë nuk e pranoj padinë pa më vra, a dënimin prej juve urdhëroni “, tha Bytyqi në gjykatë.

Aktgjykimi për kthimin e borxhit pritet të merret pas 15 ditëve.