Kontesti Pronësor Pa Zgjidhje që 14 Vjet (TV)

Prona prej 76.12 arësh në vendin e quajtur “Biraq” të Suharekës, e cila ndodhet në kontest gjyqësor mes pronarëve në njërën anë dhe komunës e Agjencisë Pyjore të Kosovës në anën tjetër, vazhdon të mos ketë epilog juridik që 14 vjet.

Kjo pronë e përbërë nga tri ngastra kadastrale që në vete përmban mal të klasës të parë dhe kullosa të klasës së tretë, ishte në pronësi të komunës së Suharekës, por më pas gjykata vendosi që t’i kthehet ish-pronarit.

Ramadan Bujari më 1 shkurt të vitit 2000 në gjykatën e Suharekës paditi komunën dhe Agjencinë Pyjore të Kosovës, me pretendimin se këto ngastra tokësore i ishin marrë dhunshëm nga ish-sistemi në vitin 1968.

Në vitin 2006 paditësi arriti që ta fitonte këtë betejë gjyqësore me aktgjykim të Gjykatës Komunale të Suharekës dhe Gjykatës së Qarkut në Prizren.

Bujari sapo kaloi ngastrat kontestuese në emër të tij, duke e shpronësuar nga to komunën, ia shiti ato një personi të tretë.

Në dhjetor të vitit 2007 komuna bëri revizion ndaj dy aktgjykimeve të gjykatave në Suharekë e Prizren, duke e dërguar kontestin pronësor në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. Supremja pranoi revizionin, duke e kthyer lëndën në rishqyrtim, por revizioni nuk mundi të pengojë bartjen e pronësisë nga Ramadan Bujari te pronari i ri Ramadan Buzhala.

Revizioni është një ankesë që aplikohet kur një çështje gjyqësore shqyrtohet nga shkalla e parë dhe e dytë, ndërsa shkon në shkallën e tretë.

Pas revizionit dhe kthimit të lëndës në rishqyrtim gjendja juridike kishte ndryshuar, pasi komuna si palë e paditur nuk ishte pronare e pronës kontestuese, ndërsa pronari që ia shiti këto ngastra një pale të tretë nuk ishte më i interesuar për këtë kontest pronësor.

Por edhe në vitin 2010 gjykata në Suharekë vendosi në favor të paditësit, një vendim të cilin dy vjet më vonë e prishi Gjykata e Qarkut në Prizrenit në vitin 2012, duke e kthyer lëndën në rishqyrtim.

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit-dega në Suharekë po vazhdon shqyrtimi i kësaj çështjeje.

Ramadan Buzhala, i cili në këtë kontest pronësor është ndërhyrës, person me interes të tretë dhe tani edhe pronar juridik dhe faktik i ngastrave kontestuese, tha për gazetën Jeta në Kosovë se nuk do të heqë dorë nga këto prona.

“Nuk do të heq dorë nga e drejta që më takon, për shkak se e kam ble duke u mbështetur në vendimin e gjykatës, e kam transferuar përmes kësaj gjykate, përmes komunës dhe i kam paguar të gjitha taksat që janë kërkuar nga komuna”, thotë Buzhala.

Ai  pret vendim pozitiv nga gjykata, pasi sipas tij prona është e pronarëve, e jo e njerëzve që rrinë nëpër zyra.

Aktualisht shqyrtimi kryesor ka përfunduar, ndërsa brenda muajit pritet të shpallet aktgjykimi në këtë çështje kontestimore.