Kosovës i Kërkohet Bashkëpunimi në Hetimet për Trafikim Organesh

Clint Williamson, prokurori udhëheqës i task-forcës së themeluar nga misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, me detyrë zbardhjen e dyshimeve për trafikim organesh u bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë të martën të bashkëpunojnë për të gjetur të vërtetën mbi dyshimet  dhe “për ta zgjidhur këtë çështje njëherë e përgjithmonë”.

Gjatë një takimi me zyrtarët kosovarë, Williamson “ritheksoi përkushtimin e tij për ta kryer një hetim të pavarur dhe të paanshëm për të zbuluar të vërtetën e tërë që qëndron pas akuzave serioze të shpërfaqura në një raport të Këshillit të Evropës”, thuhet në një deklaratë të Task-Forcës Speciale (Special Investigative Task Force, SITF).

Raporti i anëtarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, i publikuar në dhjetor të 2010-ës akuzon ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe kryeministrin aktual Hashim Thaçin, për përfshirje në krim të organizuar dhe tregti me organet e të burgosurve serbë në Shqipëri gjatë luftës së viteve 1998-1999.

“Zoti Williamson theksoi se mandati i SITF-së është të hetojë dhe në rast se kërkohet, të ndjekë individët që ishin personalisht përgjegjës për krimet e përmendura në raportin e Marty-t”, thuhet në komunikatën për media të  task-forcës.

“Williamson nënvizoi se është i vetëdijshëm për spekulimet e shumta mbi të ardhmen e SITF-së dhe hetimet e saj. Sidoqoftë, ai theksoi se puna hetuese është duke vazhduar dhe se është e pamatur të paragjykohet çfarëdo rezultati”, thuhet po ashtu në komunikatë.

Akuzat për përfshirje në trafikim me organe njerëzore janë kundërshtuar fuqishëm në Prishtinë dhe Tiranë.

Vizita e Williamsonit në Kosovë erdhi disa javë pasi mediat lokale publikuan një draft-statut për krijimin e një tribunal ndërkombëtar që do të gjykonte njerëzit për “krimet serioze” të kryera nga viti 1998 e deri më 2000, e që ndërlidhen me raportin mbi trafikim me organe të Këshillit të Evropës.

Sipas dokumentit të publikuar që thuhet se është shkruar nga ekspertët ndërkombëtarë, “Tribunali do të jetë një gjykatë ad hoc e pavarur ndërkombëtare penale dhe nuk do të jetë pjesë e gjyqësorit, ose sistemit të drejtësisë së Kosovës”.

Sipas mediave lokale, tribunali në fjalë do të ketë juridiksion mbi gjenocidin, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës, krimet e tjera nën Ligjin e Kosovës dhe krimet kundër administrimit të drejtësisë, sipas definimit të dhënë me statutin në fjalë.

Por, zyrtarët kosovarë kanë refuzuar deri më tani të konfirmojnë, ose kundërshtojnë planet për krijimin e një tribunali të tillë.

Pas takimit me Williamsonin, ministri i Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kui, kërkoi që “çdo gjykim eventual të mbahet në territorin e Republikës së Kosovës dhe sipas ligjeve dhe juridiksionit të Republikës së Kosovës”.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë partnerë të drejtësisë dhe të institucioneve vendore dhe ndërkombëtarë për çka do të vazhdojnë, por edhe kërkojnë që të respektohet sovraniteti i vendit tone”, tha Kuçi.

Ai shtoi se duhet “të njihen të arriturat në fushën e drejtësisë dhe bashkëpunimi me EULEX-in, si dhe të respektohen të drejtat e njeriut të secilit qytetar, sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe të ruhet imazhi i Kosovës”.