Sanaderit- 9 Vjet Burg për Korrupsion

Pas gati dy vjetësh të gjykimit, një gjykatë në Zagreb të martën dënoi ish-kryeministrin e Kroacisë Ivo Sanader me nëntë vjet burg për korrupsion.

Verdiktin e lexoi gjykatësja Ivana Calic,  e cila tha se Sanader kishte bërë që”besimi i njerëzve të bjerë plotësisht në institucionet e qeverisjes, duke krijuar një imazh që politikanët janë mbi ligjin”.

Ai dhe ish-partia e tij politike-Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), u gjetën fajtorë për tërheqjen e 70 milionë kunave (më shumë se 9 milionë euro) të parave publike për partinë, nëpërmjet një agjencie të marketingut, Fimi Media, në mes të viteve 2003 dhe 2009.

Gjykata tha se Sanader me qëllim të kryerjes së këtij krimi, kishte organizuar një grup të njerëzve, duke përfshirë Ratko Macek-un, Mladen Barishiq-in, Branka Pavoseciv-in dhe Nevenka Jurak-un.

Të gjithë këta, përveç Sanader-it dhe Maçek-ut, u deklaruan  fajtorë më parë gjatë gjykimit.

Ish arkëtari i HDZ-së Barishiq u dënua me tre vjet burg, Pavosheviq me 18 muaj, ndërsa Maçek është dënuar një vit me kusht.

“Unë nuk e konsideroj veten fajtor për një pikë të vetme të aktakuzës. Aktakuza është e konstruktuar dhe unë do të provoj atë”, tha Sanader kur filloi gjykimi kundër tij në prill të vitit 2012.

Dënimi i tij do të zvogëlohet për kohën sa ishte në paraburgim nga dhjetori  2010 deri në dhjetor 2011.

Më shumë se 15 milionë kuna (rreth 2 milionë euro) do t’i konfiskohen Sanaderit nga pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme.

Gjykata, po ashtu urdhëroi ish partinë e tij, HDZ, për të paguar 24.200.000 kuna (më shumë se 3 milionë euro).

Gjykata tha se nga kjo vepër penale kanë përfituar të akuzuarit. Po ashtu,  HDZ-ja u gjobit gjithashtu me një shtesë prej 5 milionë kunash (më shumë se  650,000 euro).

Gjykata dënoi Jurak-un, pronaren e kompanisë “Fimi media”, me dy vjet burg. Agjencia e saj e marketingut do të mbyllet, pasi ajo t’i kthejë 11 milionë kuna (rreth 1.400.000 euro), të përcaktuara nga gjykata si të fituara në mënyrë të paligjshme.

Rasti ka shkuar në gjykatë nga një hetim i Zyrës për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, USKOK.

Në fjalën e saj përfundimtare në gjykatë, zëvendës-shefja e USKOK-ut, Zeljka Mostecak, akuzoi Sanaderin për “abuzim të pushtetit dhe pozitës së tij, me qëllim ekskluziv për të marrë paratë dhe për të mbajtur pushtetin me një mungesë absolute nga çfarëdo përgjegjësie.