Serbia Kundërshton Pretendimet Kroate

Serbia të hënën hodhi poshtë pohimet e Kroacisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për vrasjet dhe përndjekjet masive të planifikuara, për të cilat shteti kroat pretendon se janë gjenocid i kryer gjatë konfliktit të viteve 1991-95 nga Beogradi.

“Asnjë dëshmi e prezantuar nga Kroacia nuk përmban ndonjë element gjenocidi, qoftë nga ana e Republikës së Serbisë, qoftë as nga ana e Armatës Popullore të Jugosllavisë, ose serbëve lokalë në Kroaci gjatë luftës”, tha kryesuesi i ekipit ligjor të Serbisë, Sasha Obradoviq, para gjykatës së Kombeve të Bashkuara në Hagë.

Obradoviq tha se Kroacia “ka prodhuar një numër dëshmish që nuk mund të merren fare në konsideratë”, sepse, sipas tij,  ato janë “të pasakta dhe të pabaza”.

Serbia do të prezantojë dëshmitë e saj në rastin e Kroacisë të mërkurën, kur edhe pritet të shpalosë kundërpadinë e saj ndaj Zagrebit, nën akuzën për gjenocid gjatë operacionit Stuhia të Armatës Kroate në vitin 1995, i cili riktheu territoret kroate të mbajtura nga serbët nën administrimin e këtij shteti.

Shkrimi është botuar së pari në Balkan Transitional Justice.

“Pasojat e Operacionit Stuhia janë të rënda dhe afatgjate …sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara në vitin 1995, rreth 200,000 serbë u shpërngulën nga vendi. Dhe kjo bëri që në Kroaci të ketë tre herë më pak serbë, sesa që kishte në vitin 1991”, tha Obradoviq.

“Kroacia asnjëherë nuk e ka dënuar dikë për këtë krim, madje edhe e ka festuar këtë operacion si Ditën e Fitores,” shtoi ai.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Obradoviq të hënën, gjatë konfliktit me Kroacinë nga viti 1992 deri 1994, janë vrarë 147 serbë, ndërsa në vitin 1995, kishin humbur jetën 990 serbë.

Por duke i sfiduar dëshmitë e prezantuara nga ekipi ligjor i Zagredit, Obradoviq tha se ai nuk dëshiron të nënvlerësojë vuajtjet e viktimave kroate.

Ai tha se për krimet e kryera gjatë luftës në Kroaci “janë dënuar 31 serbë dhe hetime të shumta janë ende duke u zhvilluar”.

Gjatë pesë seancave dëgjimore gjatë javës që shkoi, Zagrebi tha se Serbia dëshironte të zaptojë një të tretën e territorit kroat gjatë luftës së viteve të nëntëdhjeta dhe të largojë të gjithë kroatët nga aty.

Kryesuesja e ekipit ligjor kroat, Vesna Crniq-Grotiq, tha se ajo beson që është provuar tashmë se Serbia ka kryer gjenocid.

“Jam shumë e kënaqur me punën që bëmë. Besoj që para gjykatës kemi prezantuar ato që synuam se ka pasur elemente të gjenocidit siç edhe parashihen me konventën për gjenocid të Kombeve të Bashkuara”, tha Crniq-Grotiq për TV RTL të Kroacisë.

Edhe Zagrebi edhe Beogradi kanë shprehur besimin se do ta fitojnë rastin, por disa ekspertë kanë lënë të kuptohet se asnjëra palë nuk do të mund të vërtetojë gjenocidin.

Ekspertët gjithashtu shfaqën brengën se procedurat në gjykatë do t’i përkeqësojë marrëdhëniet midis dy fqinjëve.

Që prej themelimit të saj pas Luftës së Dytë Botërore, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka njohur vetëm një rast të gjenocidit – masakrën e Srebrenicës në Bosnjë të kryer në vitin 1995.