Jahjaga Kërkon Ndëshkimin e Përdhunuesve të Luftës

Në takimin inaugurues që këshilli mbajti të premten, Jahjaga tha se ka iniciuar këtë nismë “për të shprehur përkushtimin që kjo kategori e krimeve të mos konsiderohet si krim më i lehtë dhe të mbetet i pandëshkuar”.

Pesëmbëdhjetë vjet pas luftës në Kosovë nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e saktë të viktimave që janë përdhunuar gjatë luftës së viteve 1998-1999. Shumica prej viktimave ende hezitojnë të kërkojnë të drejtat e tyre, për shkak të frikës nga stigmatizimi.

Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch pretendon se “ka siguruar të dhëna të besueshme për 96 raste të përdhunimit seksual nga ushtarët jugosllavë, forcat policore e paramilitare serbe, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s më 1999”.

Por Jahjaga tha se “është pak e rëndësishme se sa është numri i tyre, sepse qoftë edhe një viktimë e kësaj dhune kërkon vëmendjen tonë”.

Këshilli i formuar do të koordinojë punën në këtë çështje në mes të Qeverisë, Kuvendit dhe shoqërisë civile.

“Iniciova këtë nismë për të krijuar këtë platformë koordinimi dhe bashkërendimi institucional dhe shoqëror”, shpjegoi Jahjaga.

Një ligj që u garanton të drejta dhe përfitime atyre që luftuan, ose që vuajnë pasojat nga lufta në Kosovë hyri në fuqi në fillim të vitit 2012, por viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës nuk janë pjesë e këtij ligji.

Autoritetet përgjegjëse, megjithatë kanë premtuar se do të amandamentojnë ligjin aktual për t’i njohur viktimat e dhunës seksuale si kategori ligjore.

Por, Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se ndryshimet në fjalë nuk janë përfshirë “në projeksionet buxhetore, as në kornizën afatmesme të shpenzimeve 2014-2016, e as në Ligjin për Buxhetin e Kosovës”.

“Prandaj, duke i pasur parasysh këto fakte, është shumë ë vështirë dhe gati e pamundur që projektligji në fjalë të zbatohet brenda vitit 2014”, tha ai.

“Kur janë në pyetje implikimet buxhetore në buxhetin e Kosovës, ato nuk dihen ende as për së afërti, sepse do të varen nga numri i përfituesve të beneficioneve”, theksoi Rashiq.

Çështja e viktimave të përdhunimit gjatë luftës shkaktoi në mars të vitit të kaluar një debat kontrovers në Kuvendin e Kosovës ndërsa dhjetëra përfaqësues të shoqërisë civile dolën në rrugët e Prishtinës për të shprehur pakënaqësitë ndaj “gjuhës seksiste” që deputetët kishin përdorur gjatë debatit në fjalë.