Pronarët e Standard Benz-it Dënohen Për Shmangie Nga Tatimi (TV)

Gani dhe Fahri Retkoceri, pronarë të kompanisë Standard Benz janë dënuar me nga 1000 euro gjobë dhe 3 muaj burgim me kusht që brenda një viti të mos kryejnë vepër tjetër penale, ndërsa përgjegjësit për deklarimet e kompanisë Agon e Arton Retkoceri u dënuan me nga tre muaj burgim me kusht dhe me nga 500 euro gjobë.

 Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur propozim-akuzë me dyshimin se në periudhën mes viteve 2009 – 2010  të pandehurit me qëllim të shmangies nga tatimi, kanë ofruar të dhëna të pavërteta për të ardhurat e  kompanisë së tyre Standard Benz, me seli në Lipjan.

Sipas prokurorisë, Gani, Fahri, Agon dhe Arton Retkoceri kanë minimizuar qarkullimin e vërtetë të kompanisë së tyre, duke deklaruar qarkullim më të vogël, sesa qarkullimi real i kompanisë që merret me shitjen e derivateve të naftës me shumicë dhe pakicë.

Në propozim-akuzë thuhet se të pandehurit gjatë vitit 2009 në Administratën Tatimore të Kosovës kanë deklaruar qarkullim në shumën prej 22,610,545.00 eurosh, ndërsa qarkullimi pas kontrollit është konstatuar të jetë 34.026.00 euro më shumë, ku shmangia  nga tatimi për vitin 2009 është 8.156 euro.

Për vitin 2010, sipas propozim-akuzës të pandehurit kanë deklaruar qarkullimin në shumën prej 24.463.182.00 eurosh, por nuk kanë deklaruar TVSh-në në vlerë prej 1.070.40 euro.  Me këtë rast të akuzuarit në bashkëkryerje kanë bërë shmangie reale të tatimit dhe dëmtim të Buxhetit të Kosovës në vlerën prej 9.226.40 eurosh.

Në seancën e mbajtur të enjten pasi që dëgjuan leximin e propozim-akuzës të pandehurit e pranuan fajësinë, ndërsa thanë se kjo nuk është bërë me qëllime të përfitimit, po nga mungesa e eksperiencës.

Floranca Sahiti nga Administrata Tatimore e Kosovës  në seancë konfirmoi se të pandehurit dhe kompania Standard Benz i kanë paguar borxhin ATK-së.

Të dënuarit nuk kanë bërë ankesë ndaj aktgjykimit të shpallur.