Maqedonia me Zgjedhje të Parakohshme në Prill

117 legjislatorët aktualë në asamblenë me 123 vende, kanë votuar pro iniciativës së shpërbërjes së Parlamentit, duke përgatitur rrugën për zgjedhje të parakohshme.

Trajko Veljanoski, presidenti i Kuvendit, përcaktoi zyrtarisht datën e këtyre zgjedhjeve më 27 prill. Të enjten ai do të nënshkruajë një vendim për shpërbërjen e kuvendit.

Më 27 prill do të votohet për një përbërje të re parlamentare, bashkë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

“Mendoj që në të kaluarën ne kemi menaxhuar për të ngritur nivelin e demokracisë sa i përket punës parlamentare”, tha Veljanoski në fjalimin e tij të shkurtër pak para votimit.

Që të dy veprimet, ai për ta shpërbërë kuvendin si dhe lajmërimi zyrtar i Veljanoskit sa i përket datës së mbajtjes së zgjedhjeve, janë vështruar si formalitete.

Të gjithë lojtarët kryesorë të politikës u pajtuan gjatë fundjavës se zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet mbajtur më 27 prill në tandem me një raund të dytë votimi për zgjedhjet presidenciale.

Marrëveshja u bë e qartë pasi Bashkimi Demokratik për Integrim, parti shqiptare në pozitë, kishte paraqitur një iniciativë për zgjedhje të parakohshme, sepse partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE injoroi idenë e saj për një kandidat të përbashkët presidencial.

Partia kryesore opozitare SDSM ( Partia Social-Demokrate)  kishte përshkruar këtë krizë mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së si një fabrikim i aranzhuar mes të dyjave, me qëllim që ato të kenë pretekst për zgjedhje të parakohshme.

Që të dy partitë politike kanë një interes për zgjedhje të parakohshme, sepse sondazhet kanë treguar se qëndrojnë mjaft mirë dhe kanë një mundësi të madhe të fitores së re katërvjeçare.

Historia përsëritet

Për kryeministrin Gruevski, i cili mban pushtetin që nga 2006-ta, kjo do jetë hera e tretë që ka sfiduar opozitën në zgjedhe të parakohshme . Meqë data e zgjedhjeve të parakohshme u bë evidente, problemet filluan të shfaqen sa i përket ndikimit të kohës së zgjedhjeve të përgjithshme në ato presidenciale.

Zgjedhjet e parakohshme paraprake kanë ndodhur më 2008 dhe 2011.

Qytetarët e republikës së Maqedonisë ndodhen dy herë në situatën ku do të duhet të votojnë për president si dhe për përbërje parlamentare njëkohësisht.

Një situatë e tillë ka ndodhur më 1994 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare si dhe ato presidenciale, pas deklarimit të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë. Megjithatë, në atë kohë në zgjedhjet parlamentare votohej në dy raunde, në bazë të modelit të shumicës.

Problemet që përcjellin zgjedhjet e parakohshme

Një problematikë fillestare është transmetimi i fushatave politike. Kampanja presidenciale fillon më 24 mars, kurse ajo e zgjedhjeve të përgjithshme më 6 prill. Kështu është e paqartë se a duhet lejuar reklamim politik për votimin parlamentar përgjatë heshtjes parazgjedhore për raundin e parë të votimit për president të shtetit, votim ky që fillon më 13 prill.

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Nikola Rilkoski, tha se dhënia e instruksioneve për zgjidhjen e problemeve të tilla janë punë të Qeverisë dhe Parlamentit.

“Zgjidhja mund të jepet vetëm prej Ministrisë së Drejtësisë dhe prej Parlamentit, por ata duhet reaguar sa më shpejt. Ata duhet të nuhasin konflikte të mundshme si dhe të vendosin se ç’duhet bërë”, tha Rilkoski.

Ndërkaq, Blerim Bexheti, ministri i Drejtësisë, ditën e martë ia hodhi topin e lojës këtij komisioni.

“Nuk është e nevojshme që Ministria të intervenojë. Këto çështje janë nën juridiksionin e Komisionit dhe ata kanë përgjegjësi për ta rregulluar këtë. Zgjidhja pritet prej tyre”, tha ministri Bexheti.

Një problem tjetër janë dhe financat. Mjetet e parapara për zgjedhjet presidenciale janë më të pakta se ato që parashihen për zgjedhjet e përgjithshme, kështu komisioni ka vendosur që të kërkojë zmadhimin e kësaj shume.

Social Demokratët e opozitës maqedonase thanë se Qeveria do të jetë përgjegjëse për krijimin e një konfuziteti të qëllimshëm, nëse dështon në adresimin e këtyre problemeve.

Kthehet Partia më e Vjetër Shqiptare në Skenën Politike

PPD- Partia Demokratike për Prosperitet, njëherësh dhe partia veterane shqiptare në skenën politike në Maqedoni, rikthehet përsëri në kornizën politike. Kështu ka deklaruar Muhamed Halili, anëtar i bordit iniciues për regjistrimin e kësaj partie.

Halili ka shpjeguar se me vendimin e Gjykatës Themelore të Tetovës, ata si bord iniciues kanë aktivizuar PPD-në, pas përmbushjes së të gjitha kushteve ligjore.

“Unë dhe miqtë e mi politikë, përgjatë 24 vjetëve të një aktiviteti politik kemi pasur mundësinë për të themeluar dhe ringjallur tri herë PPD-në. Por, kësaj radhe sfida ishte më e vështirë dhe përplot pengesa dhe kërcënime. Por, në fund ne patëm sukses dhe kjo është një fitore e demokracisë”, deklaroi Halili.

Halili shtoi se rikthimi bëhet për të mbaruar misionin politik, të cilin trashëgimtarët e tyre politikë e kanë degraduar.

Sipas Halilit PPD-ja do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, vetëm nëse qytetarëve u jepet mundësia që vetë të zgjedhin në ato presidenciale.

Artikulli ështa bazuar në Ballkan Insight dhe portalet maqedonase.