Ish Kryetari Vjen Nga Gjermania Për T’u Paraqitur Në Gjykim (TV)

Ish-kryetari i Vitisë po gjykohet për ekzekutimin e një vendimi të Kuvendit Komunal të Vitisë në vitin 2008, i cili vendim njëanshëm derajonalizonte kompaninë rajonale të mbeturinave Higjiena në Gjilan, një degë e së cilës vepronte në Viti.

Nga ky derajonalizim, u themelua ndërmarrja Universal që veproi për tre vjet e palicencuar dhe e paregjistruar, duke mos u paguar kontribute pensionale dhjetë punëtorëve të saj.

Paratë që duhej në shkonin në Trustin Pensional të Kosovës, u zbuluan në një llogari bankare.

Në këtë seancë gjyqësore që u mbajt të mërkurën në Gjykatën Themelore të Gjilanit, vazhdoi dëgjimi i të akuzuarit Kabil Hajdari.

Ai tha se nuk e dinte se e kujt ka qenë iniciativa për derajonalizimin e Higjienës, por se propozimi sipas tij kishte ardhur nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.
 
Hajdari  tha se arsyet e ndarjes nga kompania”Higjiena” ishin mungesa e subvencioneve nga Qeveria dhe mosinvestimi në këtë kompani nga viti 2003 deri në 2008-ën.

“Unë nuk e kam ditur se vendimi i Kuvendit Komunal të Vitisë ka qenë i kundërligjshëm, e këtë e kam kuptuar kur jam intervistuar në polici”, tha Hajdari.

Sipas Hajdarit për pengesat e regjistrimit të ndërmarrjes ka qenë i njoftuar edhe ATK-ja dhe Trusti Pensional.

Ndërsa sa u përket kontributeve të papaguara pensionale ai tha se me këto mjete janë bërë pagesa të ndryshme.

I pyetur se pse këto kontribute nuk ishin paguar në mënyrë retroaktive pas ribashkimit me Higjienën, ai tha se këtë nuk e ka dashur vetë ”Higjiena”.

Shemsedin Pira, avokat i Nexhemdin Arifit, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se i mbrojturi i tij ka ardhur nga Gjermania vetëm për këtë seancë.

“Ai është jetësisht i interesuar që kjo çështje ta marrë epilogun e dëshiruar dhe përfundimtar”, tha Pira.

Sipas tij ka ardhur koha që të kalohet në fjalën përfundimtare dhe gjyqi të vendosë në bazë të provave ekzistuese.

Seanca e radhës do të mbahet më 15 prill, ku mbrojtjen e tij do ta paraqesë ish-kryetari i Vitisë Nexhmedin Arifi.