Akuzohet Për Aksidentin Ku i Vdiq e Motra (TV)

Olluri dhe Shala në  muajin tetor të vitit 2013 kishin pasur një aksident trafiku ku si pasojë e plagëve e vdekur kishte mbetur motra e Muhamet Ollurit.

Edhe pse në seancën e parë të akuzuarit  kishin bërë kundërshtim të aktakuzës, në seancën e së mërkurës Olluri përmes mbrojtësit të tij e pranoi fajësinë.

I akuzuari i dytë Sadri Shala i cili mbrohet nga avokati Naser Gashi mbeti pranë kundërshtimit të aktakuzës dhe propozoi që në seancën e radhës të dëgjohet eksperti i komunikacionit, propozim ky që u aprovua nga gjyqtari i çështjes Shashivar Hoti.

Prokurorja e shtetit tha se ka fakte të mjaftueshme që vërtetojnë kryerjen e kësaj vepreje penale.

Avokati Jashari tha për Gazetën Jeta në Kosovë se të mbrojturin e tij kjo aktakuzë po e rëndon edhe më shumë, meqë në këtë aksident i ka vdekur e motra.

Hasan Jashari tha se qëllimi i dënimit tek i mbrojturi i tij veç është arritur dhe dënimi ndaj tij është i panevojshëm, pasi që pasojat e kësaj vepre penale e kanë goditur shumë rëndë, prandaj pret nga gjykata që ta japë një aktgjykim lirues të cilin edhe e lejon ligji.

Gjyqtari tha se seancën e radhës do ta caktojë pasi që të kontaktojë me ekspertin e komunikacionit.