Për Jasharët Kosova ka Ushtri që nga Viti 1997

Qindra trupa të Forcës së Sigurisë parakaluan të mërkurën, ndërsa liderët politikë folën për rolin që Adem Jashari, njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) luajti në luftën kundër forcave jugosllave.

Në ceremoninë e mbajtur në kazermën e Forcave të Sigurisë së Kosovës që mban emrin e Jasharit, udhëheqësit shtetërorë thanë se “ua kanë borxh atyre që ranë për lirinë” të rrisin përpjekjet në avancimin e mëtejmë të Kosovës.

“Vendit tonë duhet  t’i krijojmë një të ardhme të qëndrueshme, një Kosovë stabile që do të mbetet rrëfim suksesi i përbashkët i yni dhe i bashkësisë ndërkombëtare dhe një vlerë e shtuar për aleatët tanë strategjikë”, u shpreh presidentja Jahjaga.

Duke folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, kreu i ekzekutivit të vendit, Hashim Thaçi, iu drejtua pjesëtarëve të FSK-së duke thënë se  “dëshmi e përkushtimit institucional për perspektivën tonë euro-atlantike jeni ju pjesëtarë të FSK-së që me prezencën tuaj bëni të ndihemi krenarë”.

“Përkushitmi për përparimin e Kosovës është përkushtimi ynë më i lartë për të rënët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi kryemministri.

Qeveria e Kosovës të martën miratoi Analizën e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë. Strategjia parashikon shndërrimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe veteranë të UÇK-së dhe anëtarë të familjes Jashari.

Bekim Jashari, djali i Hamzë Jasharit, që përshëndeti në emër të kësaj familjeje, duke iu drejtuar pjesëtarëve të FSK-së të rreshtuar për parakalim tha se për familjen e tij Kosova ka ushtri që nga viti 1997, kur doli në skenë UÇK-ja.

 “Për neve keni qenë gjithmonë ushtri dhe do të mbetni të tillë”, u shpreh ai.

Evenimentet për të përkujtuar Adem Jasharin do të vazhdojnë në dy ditët në vijim dhe do të përfundojnë me fishekzjarrë të premten në mbrëmje në Skenderaj, jo larg nga vendi ku ai vdiq.

Vdekja e tij përkujtohet çdo vit si pjesë e festimeve të rolit të UÇK-së në luftën për pavarësinë e Kosovës.

Kosova deklaroi pavarësinë në vitin 2008, por Serbia është zotuar se nuk do ta njohë kurrë.