ShISh-i Akuzohet për Mbikëqyrje të Jashtëligjshme

Kryetari i Komisionit për Siguri Kombëtare, Spartak Braho, ka paralajmëruar mbajtjen e një dëgjimi parlamentar, pas lajmeve të publikuara nga mediet vendore  se Shërbim Shtetëror i Inteligjencës (ShISh) është duke mbledhur informacion për veprime të dëmshme të kryera nga shefat e policisë. 

Braho ka thënë në një intervistë për televizionin Top Channel të dielën se Visho Ajvazi Lika, kryetar i ShISh-it, do të thirret menjëherë në parlament për një dëgjim parlamentar.

“Ne do ta shqyrtojmë situatën qetësisht dhe do të informojmë kuvendin, presidentin dhe kryeministrin,” tha ai.

Braho po ashtu ka krahasuar praktikat që po pretendohet se ka përdorur ShISh-i me ato të kohës që ka përdorur paraardhësi I kohës së komunizmit, i frikshmi Sigurimi.

Paralajmërimi për një dëgjim parlamentar, vjen pas publikimi nga Top Channel të dokumenteve të rrjedhura, në të cilat spiunët e agjencisë urdhërohen të mbledhin informata për të punësuarit e rinj në polici, të bëra nga qeveria e qendrës së majtë të kryeministrit Edi Rama që erdhi në pushtet në shtatorin e kaluar.

Në dokumentin që ka datën e 2 dhjetorit të vitit 2013, Drejtoria Kundër Inteligjencë e ShISh-it, urdhëron të gjitha degët e agjencisë në mbarë vendin që të identifikojnë zyrtarë të lartë policorë të cilët kanë qenë të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme.

Urdhri përfshin të gjithë drejtorët e distrikteve të policisë, shefin e rendit publik, shefin e hetimeve të krimeve dhe shefin e rrethinave dhe policinë e trafikut.

Braho ka thënë se urdhri për të spiunuar shefat e policisë ka tejkaluar mandatin e ShISh-it, ka qenë i jashtëligjshëm dhe përbën abuzim të pushtetit.

Ai pretendoi se aktiviteti I ShISh-it koincidon me një hetim parlamentar të iniciuar nga Partia Demokratike ndaj emërimeve të reja në forcat policore.

“Siç duket agjenda institucionale e agjencisë është përshtatur me agjenda politike”, tha Braho, i cili po ashtu është anëtar i parlamentit me partnerin e vogël qeveritar, Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Agjenda e ShISh-it është agjendë e Partisë Demokratike, e cila po akuzon shefat e policisë për lidhje me krimin e organizuar”, shtoi ai.

Ish-shefi i ShISh-it Fatos Klosi, i cili e ka udhëhequr këtë agjenci nga viti 1997 deri në vitin 2002 dhe i cili tani po shërben si drejtor i agjencisë atomike, ka dënuar po ashtu urdhrin për të spiunuar policinë.

“Pas shikimit të dokumenteve, unë e shoh këtë si krejtësisht të jashtëligjshme.  Pyetja më delikatë është se kush e ka dhënë këtë urdhër dhe te kush është duke u raportuar”, tha Klosi.

Shefi i tanishëm i ShISh-it, Visho Ajazi Lika, është emëruar në këtë post në gusht të vitit 2012 nga qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit Sali Berisha. 

Qe kur qeveria e re ka filluar punën në shtator të vitit 2013, LIka po akuzohet që ende po i shërben kryeministrit të kaluar dhe se ka dërguar shumë pak informacion tek administrata e tanishme, e cila po përballet me një problem në rritje nga sulmet me bomba në makina.

Në një dëgjim parlamentar të mbajtur më 28 janar, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka thënë se ShISh-i ka dërguar “zero informacion” te qeveria për këto shpërthime.

“Unë e kam pyetur ShISh-in dhe pres informacion për këto akte terroriste, por nuk kam marrë asnjë përgjigje”, ka thënë Tahiri.

“Kjo është e papranueshme sepse kjo është kërcënim për sigurinë shtetërore dhe për mirëqenien e qytetarëve”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, ish-presidenti Bamir Topi, kryetar I partisë opozitare Fryma e Re Demokratike, ka akuzuar agjencinë gjatë një interviste për televizionin Klan më 27 janar, për spiunim të jashtëligjshëm “të kundërshtarëve politikë të ish-kryeministrit Sali Berisha”.

Pas funksionit të kryetarit, Topi themeloi Frymën e Re Demokratike, një parti e vogël nga PD-ja, të cilët tani janë në opozitë.

Sipas ligjit, shefi i ShISh-it propozohet nga kryeministri, kurse emërimi I tij aprovohet nga presidenti i vendit. 

Lika është emëruar në vitin 2012 nga Berisha, pasi që Topi braktisi zyrën dhe demokratët zgjodhën ish-ministrin e brendshëm Bujar Nishani si president të ri.

Edhe pse qeveria e re e ka bërë të qartë opinionin e vet negativ për Ajazi Likën, e ka vështirë ta zëvendësojë atë pa aprovimin e presidentit Nishani.

Presidenti Nishani, i cili kundërshton emërimet e reja nga pozita në gjyqësi dhe diplomaci, e ka bërë të qartë se  është i kënaqur me punën e shefit të ShISh-it dhe se nuk ka qëllim që të zëvendësoje atë me një të ri.

“Plotësisht e vlerësoj punën që ShISh është duke e bërë”, ka thënë Nishani gjatë një intervistë më 28 janar. 

“Askush nuk mund të bëjë presion në vendimet e presidentit”, ka thënë ai.