Qeveria Miraton Strategjinë për Shndërrimin e FSK-së në FAK

“Sot ne po vendosim që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Forca të Armatosura të Kosovës dhe rrjedhimisht të ndryshojë misionin, detyrat, strukturën dhe madhësinë, si dhe Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes së Kosovës”, tha kryeministri Thaçi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri shtoi se kjo është në të mirë të gjithë rajonit dhe në interes të procesit të integrimeve në strukturat euroatlantike dhe dëshmon përkushtimin se Kosova është e gatshme të transformohet dhe të prodhojë më tepër siguri, si dhe të jetë garantues i sigurisë së vet.

“Prandaj, ju ftoj të gjithëve që të aprovojmë këto rekomandime me një votim në Qeverinë e Republikës së Kosovës për të vazhduar dhe proceduar menjëherë në Kuvendin e Kosovës, dhe presim që gjatë këtij muaji të mbyllet kjo çështje edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Kurse, ministri i Forcës së Sigurisë Agim Çeku tha se transformimi i FSK-së në FAK ka dalë nga një proces i studimit të thellë gati dyvjeçar, i cili është vënë nën drejtimin e Komitetit Drejtues të Grupit Ndërministror, ku shumica e ministrive kanë luajtur një rol aktiv.

Sa u përket detyrave, Çeku tha se Forcat e Armatosura të Kosovës do të kenë për detyrë: mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, mbështetjen e autoriteteve civile, mbështetjen e komuniteteve si dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare në mbështetje dhe ruajtje të paqes.

Çeku tha se me këtë ndryshim do të krijohet Shtabi  i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe katër lloj njësi në varësi, e para është forca tokësore, pastaj garda kombëtare, komanda e logjistikës dhe komanda e doktrinës së stërvitjes .

Sipas Çekut, FAK-u do t’i ketë gjithsej 5 mijë ushtarë aktivë dhe 3 mijë rezervë.

Çeku, po ashtu shtoi se ndërtimi i Forcave të Kosovës do të jetë gradual dhe do të zhvillohet në tri faza.

Sipas tij, faza e parë fillon këtë vit dhe zgjat deri në vitin 2016, ku do të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore, pastaj riorganizimi i Forcës së Sigurisë në përputhje me strukturën e re, në përputhje me ligjet e reja, hartimi i doktrinave ushtarake, vendosja e strukturës ushtarake në infrastrukturën e paraparë dhe fillimi i trajnimeve mbi doktrinat dhe manualet ushtarake.

Faza e dytë do të zgjasë deri në vitin 2019 në ngritjen e kapaciteteve të komandës, kontrollit, komunikimit si dhe pajisje me armatim dhe me mjete të tjera të identifikuara gjatë këtij procesi dhe krijimi i kapaciteteve iniciale operacionale .

Faza e tretë nënkupton kompletimin e plotë të Forcave të Armatosura të Kosovës, edhe me personel edhe me pajisje dhe trajnime, si dhe arritja e kapaciteteve të plota operacionale.

Edhe anëtaret e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të martën në një konferencë për media thanë se Forcat e Armatosura të Kosovës janë një ushtri, por sipas tyre ndryshimi është vetëm në terminologji.

“Në shumë vende kemi terminologji të tillë dhe ushtria është terminologji më shumë e përdorur në popull dhe në përgjithësi në zhargonin e përditshëm, por forcat e armatosura shumë shtete i kanë”, tha kryetari i këtij komisioni deputeti Ahmet Isufi, nga AAK-ja.

Kurse, deputeti Rexhep Selimi i Vetëvendosjes tha se në shumicën e vendeve të NATO-s Forcat e Armatosura janë ushtri, por sipas tij  insistimi për t’iu shmangur fjalës ushtri me çdo kusht, të bënë të mendosh pak dhe të thuash çfarë po ndodh me këtë dhe pse.

Sipas tij përdorimi i terminologjisë në këtë segment është i rëndësishëm.

“Sido që të jetë, është e rëndësishme të shohim se çka do të jenë këto Forca të Armatosura dhe çfarë do të jetë mandati i tyre”, tha  Selimi.

Vetë Selimi, ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, formacionit që luftoi me forcat e ish-ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë në vitet 1997-1999.

UÇK-ja u transformua në TMK në vitin 1999, me hyrjen e forcave të NATO-s dhe fillimit të ndërtimit të administratës së UNMIK-ut në Kosovë, edhe pse rezoluta 1244 e OKB-së parashikonte shpërbërjen e UÇK-së.

TMK-ja nisi të krijohet në shtatorin e vitit 1999, me rregulloren 1999/8 e kryeadministratorit Bernard Kouchner për Themelimin e TMK-së.

TMK-ja e pati edhe një transformim. Gati një vit pas shpalljes së pavarësisë, më 20 janar 2009, u shndërrua në FSK.

FSK-ja është forcë profesionale, shumetnike dhe lehtë e armatosur. Ajo ka 2 mijë e 400 pjesëtarë dhe 800 rezervistë.