Gjeodeti i Akuzuar Përsëri Paraqitet pa Avokat (TV)

Është shtyrë përsëri seanca gjyqësore ndaj gjeodetit Skender Sina, meqë ky, ashtu sikurse në seancën e 5 shkurtit, është paraqitur në gjykatë pa avokat mbrojtës.

Sina akuzohet se në vitin 2004 si zyrtar i NSh “Gjeodezia”, i ka marrë 20 mijë euro mitë nga i dëmtuari në këtë rast Hasan Berisha, për përkthimin e disa pronave të blera më herët nga i dëmtuari.

Lidhur me ketë akuzë ishte dënuar me një vit burg nga ish-Gjykata Komunale ne Deçan në vitin 2005, mirëpo Sina ishte ankuar dhe dënimi ishte pezulluar.

Gjykata e Qarkut në Pejë si shkallë e dytë, pas dy vjetësh mori vendim që lënda të kthehet në rigjykim, me arsyetimin  që incizimet e paraqitura nga i dëmtuari duhet të dërgohen për analizë në një laborator të forenzikës.

Gjë që ende nuk është bërë.

Kjo lëndë rrezikonte të vjetërsohej e të përshkruhej dhe në këtë mënyrë edhe të mbyllej si rast.
Mirëpo ajo është marrë parasysh pasi që emisioni Drejtësia në Kosovë është marrë me lëndën e Skender Sinës, në fillim të shkurtit.

 Menjëherë pas interesimit të Drejtësisë në Kosovë, Gjykata Themelore në Pejë, ka caktuar seancë gjyqësore më 5 shkurt 2014.

Mirëpo kjo seancë gjyqësore dështoi për t’u mbajtur, pasi që i akuzuari kishte ardhur pa avokat mbrojtës dhe kishte kërkuar që të shtyhet séance, pasi që nuk mund të lëshohej në shqyrtim pa mbrojtës.

Trupi gjykues e kishte aprovuar kërkesën e tij dhe seancën e kishte shtyrë për 3 mars.

Njësoj sikurse me 5 shkurt, Sina menjëherë pas hapjes se seancës kërkoi nga trupi gjykues të mos lëshohet në shqyrtim pa i ardhur mbrojtësi.

Në seancën e së hënës nuk ishte i pranishëm as i dëmtuari Hasan Berisha.

Trupi gjykues kërkoi nga i akuzuari që ta kontaktojë avokatin që të vijë në seancë, mirëpo Sina, tha që avokati është i zënë.

Në fund, trupi gjykues mori vendim që ta shtyjë seancën për 14 mars 2014.