Limaj e Krasniqi Nisin me Nismën

Pesë muaj pasi përkrahën publikisht iniciativat qytetare të Malishevës e Drenasit në shtator të vitit të kaluar, Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj dolën të premten me subjektin e tyre politik që ia lanë emrin Nisma Për Kosovën.

“Nga sot ne po ja nisim. Nga sot do të ketë një nismë të re, Kosova do të ketë një alternativë të re politike. Të gjithë jemi të interesuar për të sjellë shpresën se ndryshimi është i mundshëm në Kosovë”, tha Fatmir Limaj kur prezantoi këtë zhvillim.

Limaj e Krasniqi që bashkë me Thaçin, zhveshën uniformat ushtarake në vitin 1999, për t’i hyrë së bashku politikës me PDK-në, nuk janë më as zyrtarisht pjesë e subjektit që qeveris vendin.

Para shumë të pranishmëve në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, u bë ë ditur se deputeti Fatmir Limaj do të jetë kryetar i Kryesisë së Nismës, kurse kryeparlamentari Jakup Krasniqi do të ketë pozitën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të këtij subjekti.

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi shpjegoi arsyet që i shtynë ish-zyrtarët e lartë të PDK-së që ta themelojnë subjektin e ri.

“Mënyra e funksionimit autoritar në radhë të partive politike, e cila u bart në institucionet e shtetit, u shndërrua në pengesë kryesore të zhvillimit të Kosovës. Autoritarizmi, despotizmi, tirania dhe të gjitha mënyrat jodemokratike të funksionimit ngulfatën aspiratat për funksionimn e shtetit mbi parimet e së drejtës” tha Krasniqi.

Edhe Limaj e mbështeti kolegun e tij partiak.

“Kosova nuk është në rrugë të mirë, qytetarët e saj janë lodhur nga iliuzionet, demagogjia, premtimet boshe dhe pasiguria për të ardhmen.  Koha po ecën, bota po ndryshon, vendet e tjera po zhvillohen, por fatkeqësisht vendi ynë është duke stagnuar”, shtoi Limaj.

Fatmir Limaj

Limaj e Krasniqi ishin dy nga njerëzit më të votuar të PDK-së në zgjedhjet e vitit 2010. Më shumë vota se këta të dy kishte vetëm kryetari i kësaj partie Hashim Thaçi.

Të pranishëm në tubimin ku u njoftua themelimi i subjektit politik më të ri të Kosovës ishin edhe biznesmeni Remzi Ejupi dhe Zafir Berisha, kryetari i Bashkimit Demokratik për Prizrenin.

Sivjet pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë.