Dyshohet Për Dëmtim të Kompanisë Amerikane në Bondsteel (TV)

Prokuroria Themelore në Ferizaj në dhjetor të vitit 2013 ngriti akuzë ndaj të pandehurit me inicialet E.R., punonjësit të kompanisë amerikane Kellogg Brown&Root në kampin ushtarak Bondsteel.

E.R. akuzohet për dy vepra penale: përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës dhe falsifikim.

Sipas prokurorit Rasim Maloku, E.R., duke qenë koordinator i transportit në kompaninë amerikane të inxhinierisë, ndërtimit dhe ofrimit të shërbimeve në periudhën prej 9 prillit 2010 deri më 31 tetor 2011 falsifikoi faturat e derivative të naftës të shpenzuara nga kamionët që punonin për KBR-në.

Sipas aktakuzës, faturat e lëshuara nga pompat e benzinës E.R., i ka futur në sistemin e shpenzimeve të kompanisë, ndërsa paratë i ka ndalur për vete, duke dëmtuar KBR-në për 71.793 euro.

Gjatë seancës së të hënës, prokurori Maloku lexoi aktakuzën, ndërsa i pandehuri deklaroi se ndihet i pafajshëm.

Mbrojtësi i E. R-së, kërkoi shtyrjen e seancës për të pasur më shumë kohë që të shqyrtojë provat e prokurorisë, kur t’i marrë ato. Seanca e re do të caktohet pas dakordimit të palëve.