Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ del me njoftim për votuesit jashtë Kosovës lidhur me largimin e kryetarëve në veri

Periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votimin e 21.04.2024 në katër komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut do të jetë nga sot, 29.03.2024 deri të mërkurën, 03.04.2024.

Kështu ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka thënë se sot veçse ka filluar kjo periudhë.

“Gjatë kësaj periudhe shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës duke dërguar kërkesën e tyre përmes dy opsioneve” – tha KQZ.

Në njoftim është thënë se votuesit mund ta dërgojnë kërkesën e tyre përmes platformës elektronike e cila është e vendosur në uebfaqen e KQZ-së që mund ta gjeni duke klikuar KËTU dhe përmes postës.

KQZ tha se të gjitha detajet tjera për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në uebfaqen e KQZ-së.

Gjithashtu u tha se në rast të refuzimit të aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, KQZ ka themeluar Komisionin për Kundërshtimin Administrativ, ku mund të parashtrohet kundërshtimi kundër njoftimit të KQZ-së.

Kundërshtimi administrativ u tha se mund të dërgohet përmes e-mailit, në: [email protected]

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajoi të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë Kosovës, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe pastaj, pas regjistrimit, të votojnë përmes postës gjatë periudhës e cila fillon më 12 prill dhe përfundon më 20 prill 2024.