Mosfunksionimi i OShP-së Bllokon Kontratën e Kontestuar

Përfaqësuesit e KDI-së thonë se Policia e Kosovës ka favorizuar përfaqësuesit e veturës Shkoda Rapid gjatë tenderimit për blerjen e veturave për Policinë e Kosovës.

“Ne kemi ardhur në konstatimin që kriteret kanë favorizuar në këtë rast veturën Shkoda Rapid,  këtë e bazojmë në faktin se vetëm dy përfaqësues të kompanisë Wolsvagen janë kualifikuar si të përgjegjshëm në këtë tender”, tha hulumtuesi i KDI-së, Isuf Zejna.

Fahredin Vërbovci, drejtor i Departamentit të Shërbimeve në Policinë e Kosovës thotë se tenderi është shpallur në mënyrë të rregullt.

“Kemi marrë një ekspert të EULEX-it, për të vlerësuar ofertën e operatorit Shkoda i cili e ka fituar tenderin, por ky tender ende nuk është nënshkruar pasi që është bërë një ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit”, tha Vërbovci.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në shkurt se OShP-ja nuk është duke funksionuar që gjashtë muaj, ndërsa ankesat e pashqyrtuara për tenderë nga operatorët ekonomikë në këtë institucion kanë mbërritur vlerën e 52 milionë eurove. 

Zejna i KDI-së tha se një situatë e papërshtatshme është krijuar për shkak të mungesës së Bordit të OSHP-së.

“Ne po e cilësojmë situatën si të mjerueshme, për shkak të mosfunksionimit të tri organeve kryesore që mbikëqyrin prokurimin publik në Kosovë”, tha ai.

Sipas Zejnës, Organi Shqyrtues i Prokurimit është pa bord që një kohë të gjatë, Agjencia Qendrore e Prokurimit nuk po funksionalizohet nga Ministria e Financave, ndërsa Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) nuk po i monitoron organizatat buxhetore në procedurat tenderuese.

Zejna përmendi që në tender është fryrë çmimi i veturave.

“Kompania ka ofertuar këto vetura me çmim rreth 18 mijë e 300 euro,  përderisa në tregun me pakicë, çmimi i tyre fillon nga 10 mijë e 950 euro”, tha ai.

Sa i përket çmimeve që ka ofruar operatori për veturat, Vërbovci tha se këto mund t’i shikoni në uebfaqe të KRPP-së.

Zejna tha se kanë marrë iniciativën për të monitoruar këtë tender, pasi që sipas tij një numër akuzash janë ngritur në opinion nga mediat dhe bizneset.

Ai tha se tenderi për këto vetura është shpallur tri herë.

“Policia e Kosovës nuk ka arritë që të nënshkruajë kontratën për furnizim me vetura qarkulluese, për shkak se për tre vjetët e fundit, për vitin 2011, 2012 dhe 2013 janë parashtruar gjithsej 5 ankesa nga operatorët ekonomikë”, tha Zejna.

Edhe Fahredin Vërbovci nga Policia e Kosovës tregoi ecurinë e këtij tenderi, duke treguar se njoftimi për këtë tender është hapur në korrikun e vitit 2011, por sipas tij kjo lëndë po e pret funksionimit e Bordit të OShP-së.

Tenderi sipas Vërbovcit ishte i ndarë në dy pjesë në furnizimin me vetura patrulluese dhe furgonë për transportimin e të burgosurve. Vërbovci shtoi se një operator ekonomik së fundi në vitin 2013 është ankuar për pjesën e parë të tenderit.

Zejna apeloi te Policia e Kosovës që të mos ngutet me nënshkrimin kontratës me këtë operator, pasi sipas tij buxheti i Kosovës i paraparë për blerje të veturave gjatë 2014 është 4 milionë euro.