Hajnat Rrisin Aktivitetin në Vitomiricë (TV)

Dardan Spahija, 22 vjeçar nga Vitomirica, tha se vjedhjet në rajonin e Vitomiricës dhe fshatrave përreth janë rritur shumë kohëve të fundit, ku cak i hajnave përveç shtëpive të pabanuara janë bërë edhe shtëpitë e banueshme.

“Kemi bo ni raport, puna që na kanë vjedhë. Këtu për shembull na kanë vjedhë diku vlerë rreth 300 euro, akumulatorë të kamionit”, tha Spahija.

Ai tregon se janë plaçkitur edhe shtëpitë e pabanuara të xhaxhallarëve të tij, duke vjedhur ar e gjësende tjera, kryesisht pajisje elektronike.

“Vjedhjet kanë fillu mu shpeshtu, jo vetëm te na, po gjithkund. Këtu në këtë lagjen tonë jonë vjedhë mbi dhjetë shpi, dhjetë dugojë këtu që i kem afër”, thotë Spahija.

Viktimat e vjedhjeve: Policia nuk po i kap hajnat

Ai ankohet edhe për atë se hajnat nuk po kapen nga policia.

“Kemi bo raportin në polici, policia veç po vjen po i merr raportet, dhe asnjiherë nuk ka ndodhë që ata me na dhonë neve për shembull një rezultat që o vjedhë diçka, ose me na kthy diçka, por gjithë pa rezultat”, tha Spahija.

Nga hajnat nuk ka shpëtuar lehtë as axha i Dardanit, të cilit hajnat ia kishin gjetur adresën.

Rexhep Spahija tregon t’i kenë vjedhur dy herë kryesisht mjete të punës në punëtorinë e tij në oborr të shtëpisë. Ai disa gjëra të vjedhura të herës së parë thotë se i ka gjetur, ndërsa vjedhjet e herës së dytë kurrë.

“I kom lajmëru policinë këtu, e kta bojnë hajgare. Qaty me i thonë osht hajni qe ka vjedhë, [thonë] hajt se marrim masa ndaj tyne, absolutisht kush s’merret me ta, a bashkëpunojnë ata me ta [hajna] a çka bohet me ta nuk e di”, thotë Spahija.

Ai rrëfen se para një muaji hajnat i kanë vjedhur dy motor-sharra me vlerë prej rreth 1 mijë e 200 eurosh, të cilat ia kishin sjellë nga perëndimi familjarët e tij.

Ai nuk beson më në Policinë e Kosovës, ndërsa thotë se nuk po di më në kë të dyshojë, pasi hajnat janë shtuar. Rexhep Spahija nga dëshpërimi thotë se nëse ndeshesh me hajnin më së miri është ta vrasësh atë.

“Veç me t’ardhë nuk din njeri çka me bo me ta, as mos me diskutu as kurrgjo, veç me te vra fill, s’ki çka i bon tjetër gja, ne hetofsh fill vraje, për organe s’ka kurgjo hiç”, shpreh mllefin Spahija.

“Para do kohe i kanë hy njerit në shpi, e kanë tmerru, ik familja andej e ik kendej, paj marri ma t’madhe a ka kund se me të hi brenda në pikë t’ditës”, shpreh mllefin Spahija.

Edhe Arben Gashi, pronar i një dyqani ushqimor skaj aksit rrugorë Pejë – Banjë e Istogut, ka treguar që edhe lokali i tij i është thyer për t’u vjedhur nga hajna ende të paidentifikuar.

“Me datën 5 janar të këtij viti rreth orës tre të mëngjesit, na u ka thy lokali, e na u ka vjedh arka e pareve komplet me pare, një telefon soni-erikson dhe disa sende me sasi më të vogël që kanë vlerën rreth 300 euro”, tha ai.

Edhe Gashi thotë që të kenë njoftuar policinë, por deri tash pa asnjë rezultat.

“Këtu afër në një kafiteri jonë kamerat, e ju kemi thone policisë me ardhë me i marrë kasetat, edhe pse na kanë thonë po, ata s’kanë ardhë me i marrë ato incizime”, thotë Gashi, sipas të cilit për një muaj kanë ndodhur rreth 10 vjedhje në atë lokalitet.

Policia ka tjetër rrëfim…

Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Pejë, Xhevat Ibraj thotë se policia po e kryen punën e saj.
 
“Janë kapur shumë [hajna] të dyshuar, ku vetëm në janar të vitit 2014 në Prokurorinë e Shtetit  janë dërguar 13 raste me kryes të njohur, që ishin të panjohur në kohën e kryerjes së veprave penale dhe  disa prej tyre kanë qenë të arrestuar, duke i proceduar rastet në prokurori”, thotë Ibraj.

Ai hedh poshtë akuzat e qytetarëve se policia në rajonin e Vitomiricës nuk bën patrullime, duke thënë që ato bëhen vazhdimisht, qoftë me patrulla, apo edhe këmbë, gjithashtu duke u bërë edhe patrullime nga ana e hetuesve policorë me rroba dhe vetura civile.

Sipas tij në vitin 2013 në Prokurorinë e Shtetit janë dërguar 25 raste të vjedhjeve me kryes të njohur, ndërsa në vitin 2014 janë dërguar 13 raste me kryes të njohur.

Ndërsa për rastin e mosmarrjes së xhirimeve nga kamerat e sigurisë, zëdhënësi Ibraj ka pohuar se edhe në raportin e policisë shihet që viktima u ka thënë zyrtarëve policorë që t’i marrin xhirimet e kamerave në lokalin përballë. Ibraj e pranon se policia ende nuk i ka marrë këto xhirime.

“Edhe sot policia janë tuj u marrë me atë rast, e kamerat nuk bon me i preke pa e pas konfirmimin e prokurorit”, tha Ibraj.

Prokuroria: Po plaçkiten kryesisht shtëpitë e mërgimtarëve

Ndërsa kur është pyetur se a e kanë kërkuar njësitet policore një leje të tillë nga ana e prokurorit, Ibraj nuk ka dhënë përgjigje direkte, duke thënë se lejet kërkohen dhe jepen në forma të ndryshme, edhe në letër, e edhe me gojë, gjë që sipas ligjit nuk mund të ketë leje në forma tjera përveç atyreve zyrtare në letër dhe të nënshkruar nga ana e prokurorisë.

Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Agron Galanit, nëse xhirimet i ofrohen policisë nga qytetarët, forcat e rendit nuk kanë nevojë ta kenë lejen  prokurorisë për t’i marrë ato, vetëm se nëse i marrin duhet ta njoftojnë organin e ndjekjes për këtë gjë.

E Ardian Hajadaraj prokuror në këtë prokurori për gazetën “Jeta në Kosovë”, tha se rasti i vjedhjes në shitoren e Arben Gashit me 5 janar të këtij viti në dyqanin e tij tregtar, nuk është sjellë ende në prokurori nga ana e policisë.

Ndërsa Naim Bërdynaj, administratori i Prokurorisë Themelore në Pejë, thotë që në dhjetorin e vitit të kaluar dhe në muajin janar, në Departamentin e Përgjithshëm janë kryer 253 lëndë të rasteve të vjedhjeve të rëndomta dhe të rënda.

“Ndërsa në Departamentin e Krimeve të Rënda, që llogariten grabitje me forcë e të tjera, janë 36 raste. 20 raste me 31 persona i kemi në Departamentin e Përgjithshëm, ndërsa 185 raste janë persona që kanë mbetur ende të pazbuluar”, shprehet administratori Bërdynaj.

Sipas tij, në Departamentin e Krimeve të Rënda, janë të paraqitura 6 kallëzime penale me 20 persona të përfshirë, ndërsa konsiderohen ende të pazbuluar 15 persona.

Për rajonin e Vitomiricës Bërdynaj thotë që është një kallëzim penal për një grup prej katër personash ndaj të cilit është ngritur kallëzimi, e që së shpejti do të ngrihet edhe akuza për ta. Sipas Bërdynajt, grupi dyshohet se ka kryer 24 raste të vjedhje në rajonin e Vitomiricës,

 Dyshimet sipas administratorit Berdynaj janë në prokurori dhe së shpejti prokuroria do të ngrejë akuzë ndaj tyre, por që sipas tij lënda është në kompletim të dëshmive dhe në hetim të mëtutjeshëm për përfundim.

Njëri nga grupi i hajnave të Vitomiricës, administratori Bërdynaj thotë që të jetë vetë nga Vitomirica, ndërsa sipas tij disa nga të dyshuarit janë në paraburgim dhe disa nga ta të lirë.

Si pengesë për mbledhjen e provave të freskëta nga ana e policisë, Bërdynaj vlerëson faktin se vjedhin shtëpitë e mërgimtarëve dhe se paraqitjet e tyre bëhen pas shumë kohësh.

Kurse kryetari i ri i Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se ka bërë një marrëveshje që një zyrtar i policisë të ketë qasje në xhirimet e kamerave të sigurisë në qytet.

“Ne do ti ngrejë shqetësimet e qytetarëve tanë, përmes meje te komandanti i policisë, dhe do të shohin pse nuk merren masa adekuate, ose ku po bëhet çalimi në zbatim të ligjit”, premton i pari i Pejës.