Thaçi: Forcat e Armatosura të Kosovës Rrumbullakojnë Shtetësinë (TV)

Të premten gjatë vizitës në kazermën “Adem Jashari” të FSK-së, kryeministri Hashim Thaçi, për t’i përkrahur pjesëtarët e forcës, hëngri me ta mëngjes, duke mbushur një pjatë me fasule.

Ai përsëriti fjalët e thëna në gjashtëvjetorin e pavarësisë, më 17 shkurt, për transformimin e FSK-së në ushtri.

“Një kohë shumë e shkurtër na ndan nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. Forcat e Armatosura të Kosovës do t’i kenë të gjitha kapacitetet e mbrojtjes dhe do të kenë një mandat të ri, madhësi dhe strukturën e re”, tha kryeministri Thaçi.

Shefin e tij e përkrahu edhe ministri i Forcës së Sigurisë Agim Çeku. Thaçi e Çeku parakaluan në fillim të vizitës para Gardës Ceremoniale të FSK-së. 

“ Kisha me thënë se kryeministri po e përmbush edhe një premtim dhe zotim që e ka dhënë në vitin 1999, atëherë kur e kemi transformuar UÇK-në. Atëherë kur ka thënë se Kosova do ta ketë ushtrinë e vet do t’i ketë Forcat e Armatosura të Kosovës dhe qe ku jemi, jemi në atë fazë dhe në atë ditë” , deklaroi Çeku.

Në shtatorin e vitit 1999 komandanti suprem i NATO-s Wesley Clark, kryeadministratori i OKB-së në Kosovë Bernard Kouchner, gjenerali i parë i KFOR-it Michael Jackson, shefi i Drejtorisë Politike të UÇK-së Hashim Thaçi dhe komandanti i kësaj force Agim Çeku, u morën vesh që UÇK-ja të transformohej në TMK, në një kohë kur kërkohej shpërbërja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Forcat e Armatosura të Kosovës do t’i mbrojnë interesat e Kosovës, qytetarët e saj dhe pronën e tyre. Forcat e Armatosura të Kosovës do të kontribuojnë për ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global”, vijoi Thaçi.

Agim Çeku tregoi se derisa FSK-ja të kthehet në ushtri, do ta zhvillojë aktivitetin sipas mandatit që ka.

“Ne si institucion qeveritar që jemi, si institucion i sigurisë, punën tonë e mbështesim vetëm në ligj kështu që derisa të nxirret ligji i ri nga Parlamenti ne vazhdojmë punën brenda këtij mandati”, shpjegoi Çeku.

Thaçi parashikoi edhe zhvillimet e së ardhmes. “ Edhe qëllimi, por edhe vizioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe nesër i Forcave të Armatosura të Kosovës  do të jetë integrimi në NATO dhe natyrisht si parakusht është fillimi i partneritetit për paqe”, deklaroi  ai.

Sipas Thaçit me Forcat e Armatosura të Kosovës rrumbullakohet shtetësia e vendit.

Aktualisht, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është Forcë e re, profesionale, shumetnike dhe lehtë e armatosur.