Të Akuzuarit për Manipulim me Vota Deklarohen të Pafajshëm (TV)

Mehdi Krasniqi, Besnik Buquku, Selajdin Nikqi, Izedin Xhemajli, Nimon Nimonaj, Irma Guvelija dhe Durim Neziri akuzohen nga Prokuroria Themelore në Pejë se në ditën e zgjedhjeve parlamentare më 12 dhjetor 2010, në cilësinë e komisionerëve në një vendvotim të Pejës kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve.

Në seancën e së enjtes, gjatë shqyrtimit kryesor, asnjëri nga të akuzuarit nuk e pranoi fajësinë para trupit gjykues të udhëhequr nga Sali Berisha kryetar dhe Sylë Lokaj e Prenk Palushaj anëtarë.

Sipas aktakuzës së ngritur, këta komisionerë kanë ndikuar që rezultatet të mos jenë të sakta.

Këtë e ka konstatuar edhe Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë, pasi ka vërejtur mospërputhje të formularëve të votimit.

Pas kësaj, votat e këtij vendvotimi janë rinumëruar disa herë, derisa KQZ-ja në vitin 2013 konstatoi se rinumërimi i vitit të kaluar paraqet gjendjen reale të procesit të votimit dhe tregon edhe shkallën e manipulimit.

Në gjykatore dëshmoi Burim Ahmetaj, koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve në Fushë-Kosovë. Ai tha se numërimi i vitit 2013 është i saktë, duke mos përjashtuar mundësinë që edhe numërimet e mëparshme të kenë qenë të sakta.

Ahmetaj pranoi se mund të ketë pasur lëshime gjatë numërimeve dhe rinumërimeve të votave nga ky vendvotim. Sipas Ahmetajt në fillim dyshohej se shtatë të akuzuarit kanë manipuluar 860 vota, por më pas doli se numri i këtyre votave të keqpërdorura është më i vogël.

Gëzim Kollqaku, avokati i Nimon Nimonajt e pyeti koordinatorin e KQZ-së, nëse klienti i tij dhe të tjerët po akuzohen për shkak të gabimeve gjatë numërimeve e rinumërimeve në Qendrën e Votimit dhe Rezultateve.

Burim Ahmetaj, këtij mbrojtësi iu përgjigj me fjalët se rezultati i numërimit të vitit 2013 është real.

Kollqaku kërkoi që aktakuza të hidhej poshtë, për faktin se numri i votave të manipuluara është i vogël.

“Nëse nuk bëhet fjalë për 300 vota, por janë 140 sosh, atëherë këtu nuk kemi te bëjmë me vepër penale”, tha Kollqaku. Prokurori i rastit tha se për këtë propozim të avokatit do të konsultohet me kryeprokurorin e shtetit.

Sipas avokatit Kollqaku, eksperti i gjykatës Armend Tolaj, i dërguar për ta mbikëqyrur procesin e numërimit të kutive nga vendvotimi i kontestuar i Pejës, kishte konstatuar dëmtim të kutive.

“Shiritat e kutive te votimit kanë qenë të shkëputur dhe në kuti ka mund me hy dhe me dalë dora “, kishte thënë Tolaj.

Avokati Gëzim Kollqaku, e pyeti Burim Ahmetajn, nëse kutitë e votimit mund të dëmtohen në këtë mënyrë. Ahmetaj tha se në Qendrën eNumërimit dhe Rezultateve nuk mund të pranohen kuti me shirita të shkëputur.

Eksperti i gjykatës kishte konstatuar se kutitë mund të jenë dëmtur edhe për faktin e zhvendosjes së shpeshtë të tyre gjatë viteve 2010-2013.

Në seancë u paraqit edhe mbrojtja e të akuzuarve. Më 25 prill pritet të jepet fjala përfundimtare dhe të shpallet aktgjykimi.