Lirohen të Dyshuarit e Strukturave Paralele (TV)

Misin Hoxha, drejtor i shkollës paralele serbe akuzohej nga Prokuroria Themelore e Prizrenit se më 5 prill të vitit 2011 në fshatin Restelicë, ka detyruar personin tjetër që në çdo mënyrë ta hapë derën e shkollës, me qëllim që të zhvillohet mësimi me planprogram serb.

I pandehuri Fevzi Ese, ngarkohej se në të njëjten datë ka dëmtuar pasurinë e luajtshme duke e hapur derën e shkollës me force. Ese sipas aktakuzës me një kaçavidë dëmtoi cilindrin e derës hyrëse të shkollës, mer qëllim që në këtë object të mbahet mësimi me planprogramet e Serbisë.

Në seancën e së enjtes dëshmoi drejtori legal i kësaj shkolle- Mulaim Kaqaka.

“Në kohën kur ka ndodhur problemi, shkolla ka qenë e mbyllur pasi nxënësit kanë qenë në pushim pranveror sipas planprogramit kosovar”, tha drejtori Kaqaka

Kaqaka në gjykatë tha se cilindri i derës së shkollës është thyer, pasi nxënësit sipas planprogramit serb nuk kanë pasur pushim, ndërsa u ka munguar edhe çelësi për hapjen e objektit mësimor.

Por, deklarata e drejtorit Kaqaka, nuk mjaftoi që të pandehurit të dënohen.

Gjykatësja Sabaheta Kurteshi mori aktgjykim lirues për të pandehurit, pasi sipas saj prokuroria nuk ka mundur ta vëretetojë me prova bindëse se të njëtit kanë kryer këtë veprë penale.

 “Nuk ka prova te mjaftueshme që vërtetojnë elementet e veprës penale, ndërsa edhe dëmi është shumë i vogël”, tha Kurteshi në arsyetimin e aktgjykimit. Ndërsa ndaj këtij akgjykimi prokuroi i shtetit paralajmëroi ankesë.

Misin Hoxha, gjatë fjalës së tij mbrojtëse pranoi se në këtë shkollë zhvillohet mësimi paralel, duke shpjeguar se problemi ndodhi vetëm për arsyen se nuk është përputhur orari i pushimeve i festive mes planprogrameve të dy shteteve.

Para shpalljes së aktgjykimit lirues për të pandehurit, prokurori e pyeti të akuzuarin Hoxha se a ka autorizim, ose leje speciale për shfrytëzimin e të njëjtit objekt shkollor ku zhvillohet mësimi sipas planprogramit kosovar.

“Jo vetëm ne, por as 6 shkolla tjera që punojnë me planprogram të Serbisë, nuk kanë leje të posaçme nga Ministria e Arsimit, ose drejtoria e Arsimit në Dragash, por punojmë normalisht pa asnjë problem”.

Hoxha pas lirimit nuk pranoi të flasë për Gazetën jeta në Kosovë, me arsyetimin se do të flitet në rrethin e tij “se pse ka dhanë intervistë për një medium kosovar”.

Ndaj këtij akgjykimi prokurori i shtetit paralajmëroi ankesë.