Deçani Pozicionohet Globalisht me Adresa (TV)

Aplikacioni kompjuterik i quajtur “ARIS”, synon evidentimin elektronik të rreth 20 mijë rrugëve dhe 430 mijë vendbanimeve e hyrjeve të objekteve në zonat rurale dhe urbane në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Projekti i nisur në vitin 2010, i përkrahur nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Qeveria norvegjeze, synon unifikimin dhe digjitalizimin e adresave të vendbanimeve kosovare.

Fjolla Çeku, zyrtare për media e Zyrës së BE-së në Kosovë, thotë se projekti për sistemin e unifikuar te adresave, i ka kushtuar bashkimit Evropian 5 milionë euro. Sipas saj në këtë kosto financiare janë përfshirë edhe pagesat për asistencën teknike dhe kontrata ndërtimesh e pajisjesh.

Projekti është duke u zbatuar nga zyrtarët e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ndërsa ka nisur me vendosjen e tabelave të emrave të rrugëve së pari në Komunën e Deçanit, për të vazhduar më pas edhe në komunat e Fushë Kosovës dhe Shtimes. Vetëm këto tri komuna kanë futur të dhënat gjeografike të tyre në aplikacionin ARIS.

Kur të dhënat elektronike dhe fizike për rrugët dhe vendbanimet e 38 komunave të Kosovës të vendosen në mënyrë elektronike, pritet të funksionalizohet gjeoportali, ndërsa adresat kosovare do të jenë pjesë e Sistemit Global të Pozicionimit (GPS). 

Projekti ka për qëllim ofrimin e shërbimeve të shpejta e të sigurta për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe lehtësimin e punës së shërbimeve emergjente: policisë, ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve, e të tjerë.

Denis Pitarka, zyrtar për marrëdhënie me publikun në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, përmes postës elektronike për Gazetën Jeta në Kosovë,  thotë se vetëm shtatë nga 38 komunat e Kosovës kanë aprovuar deri tash emrat e rrugëve dhe vendbanimeve të tyre.

“ Aplikacioni ARIS është punuar enkas për krijimin dhe mirëmbajtjen e të dhënave të adresave. Njëri prej elementeve kryesore të adresave janë emrat e rrugëve, ndërsa aprovimi i emrave është përgjegjësi e komunave. Deri më tani emërtimin e rrugëve, në tërë territorin e tyre, e kanë aprovuar 7 komuna: Shtimja, Fushë Kosova, Deçani, Vushtrria, Lipjani, Graçanica dhe Parteshi”, shpjegon Pitarka, duke shprehur bindjen e tijë të plotë se shumë shpejtë do të bëhet kompletimi i materialit nga të gjitha komunat

Sipas zyrtarit të AKK-së për të nxitur komunat që të aprovojnë emërtimet e rrugëve dhe vendbanimeve, projekti parashikon donacion për tabelat fizike të tyre.

Pitarka tregon se qeveria norvegjeze po e vazhdon projektin, aty ku e la Zyra e BE-së.

 “Mbështetja e zyrës së BE-së në Kosovë ka përfunduar në dhjetor të vitit 2013, mbështetja e Qeverisë Norvegjeze vazhdon në kontekstin e vendosjes së tabelave të emrave të rrugëve në disa komuna”, thotë Pitarka.

Ai shton se “mirëmbajtja e adresave dhe kontrollimi i kualitetit, është një proces dinamik që do të vazhdojë të bëhet nga zyrat e urbanizmit nëpër komuna”.

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu thotë se Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë që nga viti 2000 ka qenë përkrahëse e Agjencisë Kadastrale në projekte të ndryshme, me një vlerë të përgjithshme prej rreth 6 milionë eurosh.

“3.7 milionë kruna norvegjeze janë alokuar [për projektin e adresave]dhe kjo shumë është diku më shumë se 400 mijë euro. Projekti ka filluar të implementohet kah fundi i vitit të kaluar dhe është një projekt, ose program trevjeçar. Faza fillestare ka filluar vitin e kaluar, e kanë mbetur edhe dy vjet në implementimin e projektit”,shpjegon Braathu.

Ambasadori thotë se edhe pse Norvegjia nuk është anëtare e BE-së, realizimi i këtij projekti është shumë i rëndësishëm për hapat e Kosovës drejt BE-së, pasi kjo punë lidhet me  zhvillimin e Kosovës.

600 rrugët e Deçanit

Zyrtarë të komunës së Deçanit, thonë se qyteti i tyre, me të gjitha adresat e tij, i pari nga vendbanimet kosovare do të vendoset në hartat globale të rrugëve.

“Besoj që ky projekt do të përfundojë në pranverë, në qershor do të ketë nevojë kohë pas kohe me u azhuru dhe prej tani është nëpër hartat elektronike dhe GPS. Ky projekt është një prej parakushteve për liberalizimin e vizave”, thotë  Bashkim Ramosaj, drejtor i Administratës se Përgjithshme të Deçanit.

Sipas Ramosajt kostoja e projektit për këtë komunë kap vlerën mbi 300 mijë euro. Ai ka treguar se si janë emërtuar rrugët e Deçanit.

 “Shumica e rrugëve dhe lagjeve janë emërtuar në bazë të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo edhe në bazë të emërtimeve që e kanë konceptin historik, kulturor dhe kombëtar të Republikës së Kosovës”, shpjegon Ramosaj.

Shkëlzen Shehu, përgjegjës për Sektorin e Urbanizmit në Komunën e Deçanit tregon të kenë dërguar hartat në fshatra dhe lokalitete të banuara dhe përmes tyre të kenë marrë edhe propozimet e vetë banorëve të fshatrave të ndryshme, pas tubimeve me ta.

“Përafërsisht kemi diku rreth 600 emërtime të rrugëve në Komunën e Deçanit, ku  kemi dy lista që komuna është dashur që t’i aprovojë, bashkë me vendimin përfundimtar të të gjitha rrugëve të cilat janë të digjitalizume”, thotë Shehu.

Faturat e KEDS-it si ndihmë për rrugët

Filloreta Hasaj që ndihmoi ekipet komunale për përcaktimin e saktë të vendbanimeve dhe emrave të rrugëve në komunën e Deçanit, tregon fillimisht se puna në terren është bërë në harta, ku janë skicuar rrugët përmes të dhënave të faturave të KEDS-it.

Ajo thotë se banorëve u janë kërkuar faturat, për të pasur një pasqyrë për vendbanimin, ose lagjen.

“Ka qenë vështirë sepse se kanë kuptuar saktësisht njerëzit, edhe kur i kemi kërkuar faturat e KEK-ut, normal ka qenë pak ma problem … identifikimi si hymje është i saktë, është ba me shigjetë, a sa janë të dhënat e faturave të KEK-ut të sakta, janë diku rreth 80 për qind”, thotë Hasaj. 

Shkëlzen Shehu, përgjegjës për Sektorin e Urbanizmit në Komunën e Deçanit, tregon se disa emra rrugësh të aprovuar janë lënë rezervë për të ardhmen.

“Është vendimi rezervë që 20 për qind e emrave të rrugëve të mbeten për të ardhmen. Nëse hapet ndonjë rrugë, ose mendohet me u vendosë emri shiqohet prej asaj liste e vendoset”, thotë Shehu.

Projekti i digjitalizimit të rrugëve në Deçan, është interesant edhe për qytetarët.

Valdet Nuraj, nga fshati Strellc i Poshtëm thotë se pas realizimit të projektit në fjalë, qytetarët më larg se rrafshi i Dukagjinit do ta kenë shumë më lehtë gjetjen e adresave për të cilat edhe janë nisur.

 “Po unë mendoj se ky projekt është shumë i mirë. Po me doket si program shumë i qëllum që e kanë bo, sado kudo e din rrugën, e din vendbanimin, e din për ku je nisë”, thotë Nuraj.

Projekti i bërjes bashkë në një vend të të gjitha adresave kosovare pritet të vazhdojë deri në tetor të këtij viti.