Gjashtë Vjet Shtet Festohen në Kuvend

“Republika jonë e re ka moshën e një fëmije që sapo fillon shkollën dhe mësimin. Para saj shpërfaqet në horizontin e kaltër e ardhmja plot sfida, por e sigurt”, tha kryeparlamentari Kraniqi të hënën në seancën solemne të Kuvendit.

Ngjyra dominuese e flamurit të Kosovës, sipërfaqja e tij, është e kaltër.

Duke vazhduar me metaforën e fëmijës, Krasniqi shtoi se “Ne kemi nevojë të mësojmë nga shembujt e mirë edhe të të tjerëve. Kemi nevojë të mësojmë të kaluarën për të mos na u përsëritur historia, as si fazë, as si tragjedi.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i pranishën në seancë, gjatë fjalës së rastit, tha se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, “kemi vënë në jetë ëndrrat e një populli të tërë për liri, duke finalizuar një luftë të gjatë e të mundimshme për pavarësi”.

Kosova u shpall shtet para gjashtë vjetësh, ndërsa më 11 shkurt fitoi njohjen e 106-të nga shteti afrikan Lesoto.

Edhe Jakup Krasniqi foli për rrugën e vështirë drejt pavarësisë.

“Shpallja e pavarësisë ishte akt historik, të cilit i ka paraprirë një proces i gjatë çlirimtar i mbuluar me lavdi, me gjak dhe sakrifica të panumërta, i ka parapri në luftë titanike për jetë a vdekje”, tha Krasniqi.

Të dy folësit, Thaçi e Krasniqi nuk harruan të falënderojnë ShBA-në, BE-në dhe NATO-n.

“Në këtë ditë solemne ne u drejtojmë atyre mirënjohjen tonë të thellë, bashkë me zotimin e vendosur për miqësinë dhe bashkëpunimin tonë të përkushtuar”, falënderoi Krasniqi.

“Shpreh mirënjohjen e thellë si kryeministrër i Kosovës dhe në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dua të falenderoj shtetet aleate perëndimore të cilat besuan në kauzën tonë të drejtë dhe na ndihmuan për të siguruar lirinë dhe pavarësinë”, tha Thaçi.

Të dy përmendën edhe kosovarët që kontribuan për këtë ditë, sidomos ish-presidentin Ibrahim Rugova dhe komandantin legjendar Adem Jasharin.

Krasniqi ia numëroi edhe një meritë shtetit të Kosovës.

“Kosova e pavarur për 6 vjet rresht nuk e ka rrezikuar e dëmtuar askënd, sepse ajo si projekt dhe si realitet, është mbështetur dhe themeluar mbi vlerat e larta të demokracisë moderne amerikane dhe evropiane”, tha kryeparlamentari.