Simpatizanti i Dënuar i PDK-së Rrëfen Për Propagandimin për Vota (TV)

Mejdi Selmani, i caktuar vëzhgues i PDK-së në fshatin Shillovë ditën e balotazhit të 1 dhjetorit 2013, ishte nisur i disponuar drejt vendvotimit ku do të vëzhgonte, me shpresën se do t’ua mbushte mendjen votuesve për t’ia dhënë votat e tyre Qemajl Mustafës.

Qemajl Mustafa ishte kandidat i partisë më të madhe kosovare për kryetar të Gjilanit, ndërsa fshati Shillovë banohet kryesisht nga pjesëtarë të komunitetit serb.

Militanti që u dënua me gjashtë muaj burg dhe 600 euro gjobë, më 23 dhjetor 2013, ngase bëri thirrje për ta votuar Mustafën, thotë se nuk e ka ditur që ka shkelur ligjin.

Neni 36 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme precizon se njëzet e katër orë para hapjes së qendrave të votimeve dhe deri në mbylljen e tyre, mes tjerash ndalohet bërja e fushatës në çfarëdo mënyre.

Mejdi Selmani tregon për Gazetën Jeta në Kosovë se dëshironte t’ia sigurojë kandidatit të subjektit të tij për kryetar, 300 deri 400 vota nga serbët lokalë, për faktin se Qemajl Mustafën e ka bashkëfshatar.

Mejdi Selmani e Qemajl Mustafa janë nga fshati Malishevë e Epërme e komunës së Gjilanit, fshat fqinj me Shillovën.

Selmani thotë se PDK-ja e dërgoi si vëzhgues në Shillovë, pikërisht për shkak të afërsisë së tij fizike me këtë fshat dhe njohjes së mirë të gjuhës serbe.

“ Ju kam thënë serbëve lokalë pasi që jemi kojshi dhe Shillova është afër me Malishevën e Epërme në emër të fqinjësisë së mirë të votohet Qemajl Mustafa, e jo Lutfi Haziri “, shpjegon Selmani.

Por tregon se situate në terren e ka dëshpëruar, pasi ka parë tendencën e shillovasve për ta votuar Hazirin. Lutfi Haziri mposhti Qemajl Mustafën pikërisht të dielën e 1 dhjetorit të balotazhit 2013.

 “ Kur e vërejta dhe e pashë disponimin e serbëve se janë të përcaktuar ta votojnë kandidatin e LDK-së Lutfi Hazirin, i dëshpëruar kam pirë disa gota raki me serbët lokalë dhe jam nisur për në Gjilan “, thotë Selmani.

Sami Hoxha, koordinatori i vëzhguesve dhe komisionerëve të PDK-së për Gjilan nuk e fsheh se Mejdi Selmani kishte braktisur vendin ku ishte caktuar vëzhgues.

“ Në momentin që më ka mungu, më kanë raportu dhe unë kam kërku nga Mejdiu të shkojë në vendin e tij të punës, se përkrahjen ja jep kandidatit të vet, vetëm nëse e kryen punën me përgjegjësi “, thotë Hoxha.

Selmani e pranon se nuk donte më të kthehej në Shillovë.

“ O Sami Hoxha asnjë vullnet nuk e kam me shku në Shillovën serbe, se njerëzit nuk po dojnë me na votu neve, pse veç me shku me humb kohë “, tregon Selmani t’i ketë thënë koordinatorit të PDK-së.

Por thotë se është kthyer përsëri aty ku bëri propagandimin për Mustafën.

Selmani shpjegon për Gazetën Jeta në Kosovë se ditën e zgjedhjeve me 01 dhjetor 2013, rreth orës 13:30, ishte arrestuar nga policia e Kosovës me akuzën  se nga serbët lokalë kishte kërkuar të votohet kandidati i tij i preferuar Qemajl Mustafa,  e jo Lutfi Haziri.

Selmani, sipas aktakuzës së 12 dhjetorit 2013 ngarkohej për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Mbrojtësi i Mejdi Selmanit, avokati Refik Alili, thotë  se i mbrojturi i tij e ka pranuar këtë vepër.

“Në seancën fillestare i njëjti e ka pranu kryerjen e veprës penale dhe gjykata e shkallës së parë e ka shpallur fajtor dhe tash jemi duke e pritur aktgjykimin me shkrim”, deklaron Alili.

Selmani bën me dije se nuk ishte i trajnuar për të marrë pjesë në zgjedhje, edhe pse partia e caktoi për vëzhgues në shkollën fillore “Vuk Karagjiq” të Shillovës. Ai thotë se bexhin e vëzhguesit e ka marrë nga zyrtarët e PDK-së në kafiteri.

“Nuk e kam ditë si rrjedhin sendet, nuk e kam ditë që është e ndaluar me serbë lokalë në mënyrë shoqërore me i lutë që ta votojnë Qemajl Mustafën “, thotë Selmani.

Sami Hoxha, koordinatori i komisionerëve të PDK-së në Gjilan, mohon që njerëzit e caktuar nga kjo parti kanë qenë të patrajnuar.

“Të gjithë këta njerëz kanë qenë të përgatitur, të autorizuar, tranjuar  që të veprojnë në përputhje me ligjin zgjedhor në ditën e zgjedhjeve”, thotë Hoxha, teksa shpjegon se ishte përgjegjës për më shumë se 600 komisionerë dhe vëzhgues.

“Të gjithë vëzhguesit e PDK-së i kam përgatitë në trajnime, u kam dhënë udhëzime që në ditën e zgjedhjeve, komisionerët ta mbrojnë votën e qytetarëve, ndërsa vëzhguesit ta përcjellin procesin se a ka parregullsi, ose pengesa dhe ato t’i raportojnë në Shtabin Zgjedhor të Degës” thotë Hoxha .

Selmani është hidhëruar shumë me zyrtarët e PDK-së dhe thotë se nuk do t’i kërkojë para partisë për 600 eurot e gjobës.

“ Unë jam idhnu shumë me ta, por nëse largohem nga PDK-ja nuk largohem për inat të Qemajl Mustafës, tha Selmani.

Avokati i të dënuarit, dënimin e vlerëson shumë të ashpër, për veprën që klienti i tij ka kryer, ndërsa paralajmëron ankesë.