AAK-ja Inicion Mbledhjen e Nënshkrimeve për të Rrëzuar Qeverinë

“Jemi në proces të diskutimeve dhe kërkimit të përkrahjes nga të gjitha palët, me qëllim që sa më parë Kosova të shkojë në zgjedhje, të cilat do të nxjerrin vendin nga kriza”, tha Kadaj-Bujupi.

Kadaj-Bujupi tha se Qeveria tani nuk e ka shumicën në Kuvend.

“Kuvendi është bllokuar po e shihni se asnjë vendim, nismë e rezolutë nuk po mund të kalojë, prandaj ne konsiderojmë se zgjedhjet do të jenë dalje nga kjo situatë, duke legjitimuar një qeveri të re, e cila do të ketë besimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.”, shtoi ajo.

Por, partitë opozitarë thonë se ende nuk janë të informuara lidhur më nismën e Alencës për të ngritur mocion mosbesimi.

“Unë nuk kam informacion për mocionin. Mendoj që nisma për mocion për rrëzimin e qeverisë duhet të jetë veprim i konsultuar në detaje dhe nuk guxon të jetë veprim i pakonsultuar”, tha deputeti Arben Gashi nga LDK-ja.

Ai tha se gatishmëria e AAK-së për ta rrëzuar Qeverinë është interesante, por duhet të shqyrtohen veprimet e mëtutjeshme.

Gashi shtoi se vendimin për të përkrahur këtë iniciativë të AAK-së për mocion, e merr Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në bashkëpunim me Këshillin e Përgjithshëm dhe deputetët në Kuvendin e Kosovës.

Edhe Visar Ymeri nga Vetëvendosja tha se subjekti i tij politik ende nuk është njoftuar lidhur me nismën e AAK-së për mocion.

“Në këto momente që po flasim, askush prej grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nuk është kontaktuar për këtë qëndrim, ose për këtë iniciativë të Aleancës”, tha Ymeri.

Edhe ai tha se vendimi për përkrahjen eventuale të Aleancës për mosbesim ndaj Qeverisë, do të jetë vendim i Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se nuk është i njoftuar lidhur me nismën e AAK-së, por ai shtoi se kjo nismë do të jetë në të mirë të PDK-së.

“Mund të merren inicitava të tilla,  por unë u garantoj që ato do të përfundojnë në të mirën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe do t’i sigurojnë Partisë Demokratike të Kosovës edhe një mandat katër vjeçar”, shtoi Grabovci.

Sipas nenit 100 të Kushtetutës së Kosovës, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) së të gjithë deputetëve të Kuvendit.

 “Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të
gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në kushtetutë, gjë që nënkupton se kërkohet vota e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës që qeveria të konsiderohet në dorëheqje.
 
Kushtetuta po ashtu parasheh që nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.
 
Po ashtu sipas Kushtetutës votëbesim të qeverisë mund t[ kërkojë edhe kryeministri.