Deputetët Kërkojnë të Dhëna të Sakta për Naftën në Shkolla

Pasi që kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti nuk është i kënaqur me konstatimin e  Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të publikuar më 10 shkurt, se rezervarët e naftës për ngrohje nuk kontaminojnë ajrin brenda klasave të mësimit të shkollave në Prishtinë, disa deputetë në Kuvend kërkuan të dhëna të sakta nga institucionet kompetente lidhur me këtë çështje.

Deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi, duke përmendur të dhënat kontradiktore të institucioneve të ndryshme, në pjesën e deklarimeve jashtë rendit të ditës kërkoi të dijë të vërtetën për sasinë e sulfurit në naftë ose vaj të përdorur për ngrohje në shkolla.

“Po kërkoj që në gjithë këtë maskaradë e cila ka ndodhur në kohët e fundit të gjitha organet e pandikuara politikisht, organet profesionale këtu dhe Gjykata Themelore në Prishtinë të dalin të kryejnë punën e tyre dhe të japin të dhëna të sakta dhe të papolitizuara”, tha Kadaj-Bujupi.

Teksa tregoi se çështja e naftës ka krijuar panik te prindërit e nxënësve dhe njerëzit tjerë, tha se qytetarët duhet ta dinë nëse derivatet në shkolla janë, a s’janë kancerogjene.

“Në këtë vit, në Kosovë janë paraqitur 730 raste të reja të kancerit dhe për çdo ditë të sëmurit nga kanceri janë fëmijë të moshës shumë të re. Prandaj dalja në opinion me këto informata, jo vetëm që po shqetëson, po në fakt është një temë”, shtoi Kadaj-Bujupi.

Edhe deputeti Nait Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës u shpreh i shqetësuar lidhur me derivatet e naftës që përdoren nëpër shkolla.

Ai kërkoi përgjegjësi nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për lejimin e përqendrimin e lartë të sulfurit në substancën që përdoret për ngrohje shkollash.

Komuna e Prishtinës sipas kontratës së nënshkruar me Hib Petrolit, të vlefshme edhe vitin e ardhshëm kishte kërkuar naftë eurodizel për ngrohje. Kjo naftë, sipas udhëzimit administrativ 07/2012 të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është e lejuar të ketë sasi sulfuri prej 10 miligramësh në një kilogram.

Sipas të njëjtit udhëzim gazoili, një vaj për ngrohje, lejohet të ketë sasi sulfuri deri në 1000 ppm (pjesë për milion).

Laboratorët e licencuar nga MTI-ja, konstatuan sasi sulfuri në substancën që përdoret për ngrohje në sasinë 680 ppm. Kjo çoi në ndërprerjen e mësimit në institucionet edukativo-arsimore të Prishtinës, më 7 shkurt, me urdhër të komunës së Prishtinës.

Mësimi rifilloi të martën e 11 shkurtit, pasi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konstatoi se përmbajtja e dëmshme e lëndëve djegëse nuk depërton nëpër hapësirat shkollore, por vetëm në ambientin e jashtëm.