Radivojeviq: Nuk Isha Aty Ditën Kritike (TV)

Dita e enjte në objektin e Gjykatës së Apelit në Prishtinë kaloi në kuadër të rrëfimit të Ivan Radivojeviqit lidhur me atë se si ka vepruar ai përgjatë marsit 1999.

Ai tha se që nga 24 marsi i vitit 1999 është rekrutuar si pjesëtar i rezervave policore të asaj kohe dhe në këtë cilësi ka qëndruar për 70 ditë a më shumë.

Ai kundërshtoi akuzat se më 26 mars 1999 në stacionin e autobusëve në Fushë-Kosovë si rezervist i policisë serbe së bashku me pjesëtarë të tjerë të policisë dhe paramilitarë, kishte cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e së paku 40 shqiptarëve.

Arsyetimi i të akuzuarit ishte se pjesën më të madhe të aktivitetit të tij si rezervist policor e ka kaluar jashtë Fushë Kosovës dhe që nga data 25 mars deri më 10 prill ka qenë në Arllat.

Duke arsyetuar inkuadrimin e tij në forcat policore ai tha se nuk ka qenë e mundur të injorohet thirrja nga MPB-ja, sepse përndryshe pasonte arrestimi.

Radivojeviq deklaroi se një muaj pas kësaj periudhe ishte larguar për në Serbi, por ka frekuentuar Kosovën rregullisht përgjatë vitit, derisa nuk i ishin bashkuar prindërit e tij në Blace, në Serbi.

Avokati i të akuzuarit, Miodrag Brkljaq pjesën më të madhe të pyetjeve e kishte përqendruar në atë se pse kishin braktisur Fushë-Kosovën prindërit e tij.

Lidhur me këtë, Radivojeviq tha se dikush kishte uzurpuar shtëpinë e tyre, ndërsa babai i tij kishte iniciuar një padi lidhur me këtë dhe kishte fituar procesin gjyqësor.

Prindi i të akuzuarit së bashku me uzurpuesin e shtëpisë kishin arritur në një marrëveshje për shitblerje të shtëpisë me vlerë prej 43.000 markash.

Ndërkaq, nga kjo shumë Remzi Bejiqi kishte paguar vetëm 32.000 marka, me premtimin se do e paguajë pjesën tjetër në ndërkohë. Megjithatë, sipas Radivojeviqit shuma e mbetur akoma nuk është paguar.

“Kam dyshim se gjithçka ka filluar nga ai person që e ka blerë shtëpinë, sepse më parë nuk kisha problem për të ardhur këtu”, tha Radivojeviq.

Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale theksoi faktin se Radivojeviq më parë nuk kishte përmendur se nuk ka qenë në Fushë-Kosovë përgjatë datës 26 mars.

 “Mua nuk më pyeti kush për datën 26 mars”, u përgjigj Radivojeviqi.

Avokati Brkljaq reagoi duke thënë se nuk ka faj klienti i tij për pyetjet që nuk i janë parashtruar.

Ndërkaq prokurori insistonte se rrëfimi i sotëm ishte një fabrikim.

Radivojeviq tha se nuk ka qenë i njoftuar në atë kohë për zhdukjen e fqinjëve të tij dhe banorëve të Fushë-Kosovës.

“Ata nuk kanë ardhur të raportojnë zhdukjen e të afërmve të tyre edhe pse në atë kohë stacioni policor ka funksionuar në rregull”, shtoi ai.

Prokuroria Speciale, aktakuzën e saj e bazon në dëshmitë e të dëmtuarit Bujar Bajramit dhe dëshmitarëve të tjerë të mbijetuar në këtë çështje.

Në aktakuzë thuhet se më 26 mars 1999 një grup i paramilitarëve të forcave serbe kishin rrethuar civilët shqiptarë të cilët ishin duke pritur në stacionin e autobusëve në Fushë-Kosovë për të shkuar në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, grupi i paramilitarëve që bartnin uniforma paramilitare dhe automatikë pasi kishin rrethuar civilët, i kishin ndarë meshkujt nga femrat dhe fëmijët.

“Pjesëtarët e paramilitarëve duke përfshirë edhe Ivan Radivojeviqin dhe Skender Bislimin, kishin filluar rrahjet e disa personave që gjendeshin aty. Disa prej personave që u rrahën, u urdhëruan nga paramilitarët që të hipnin në disa makina dhe shkuan në drejtime të panjohura. Ata shqiptarë më vonë u gjendën të vdekur.”, vazhdon aktakuza.

Katër dëshmitarë të dëgjuar më herët kanë thënë ta kenë parë të pandehurin më 26 mars të vitit 1999  të armatosur, së bashku me grupin e serbëve të tjerë që ishin në stacionin e Fushë-Kosovës