Dhuna në Shkolla Shkak i Mosbashkëpunimit mes të Involvuarve (TV)

Mungesa e bashkëpunimit, nxënës prind- mësimdhënës, mungesa e bashkëpunimit me policinë dhe mosbashkëpunimi mes qeverisë komunale me shkollat, janë disa nga arsyet e dhunës nëpër shkollat e Kosovës, u tha në tryezën e organizuar nga Sindikata e Arsimit në Suharekë.

Sadik Shala, kryetar i i kësaj sindikate tha se arsyeja e thirrjes së këtij takimi është parandalimi i dhunës nëpër shkolla, pasi gjendja është alarmante.

“Duhet një bashkëpunim më i madh me prindër, me policinë e Kosovës, mos të lejojmë që e vogla të bëhet e madhe”, tha Shala.
 
Ramadan Haxhija, drejtor i shkollës fillore “Migjeni” në Gjinoc, tha se deri te dhuna nëpër  shkolla vjen si rezultat i mosbashkëpunimit mes qeverisë komunale me drejtorët e shkollave dhe mosinteresimit të prindërve për fëmijët e tyre.

“Edhe mungesa e rrethojave nëpër oborret e shkollave çon deri të dhuna nëpër shkolla, pasi mungesa e tyre lejon që të hyjnë persona të panjohur”, tha Haxhija, i cili po ashtu shtoi se kamerat vëzhguese do të ishin një parandalues i dhunës në shkolla.

Agron Fetiu, përfaqësues i prindërve, u pajtua me vërejtjet e bashkëbiseduesve se ka mosinteresim të madh të prindërve për fëmijët e tyre.
 
“Vërejtjet e drejtorëve janë me vend, pasi prindërit janë shumë pak prezentë nëpër shkolla dhe në të ardhmen duhet sa më shumë të rritet komunikimi në mes prindërve dhe mësimdhënësve”, tha Fetiu.

Vesel Gashi, përfaqësues i policisë së Kosovës nga Prizreni tha se policia i ka marrë të gjitha masat e duhura konform ligjit që të parandalohen dukuritë e dhunës nëpër shkolla.

Sipas tij, gjatë muajit janar janë evidentuar 3 raste të dhunës në shkolla që kanë ndodhur në regjionin e Prizrenit.

“Për parandalimin e dhunës policia ka shtuar njësitë patrulluese në afërsi të shkollave. Kohë pas kohe në bashkëpunim me drejtorët marrim disa veprime për parandalimin e dhunës, duke i kontrolluar nxënësit nëpër shkolla”, tha Gashi.

Ky takim në komunën e Suharekës është thirrur pas vrasjeve te fundit në shkollën e Mitrovicës dhe Prishtinës.

Me 28 janar në shkollën e mesme teknike “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë është vrarë një nxënës nga një nxënës tjetër, po nga kjo shkollë.

Po ashtu edhe me 8 janar në shkollën fillore “Emin Duraku” për motive të hakmarrjes në oborrin e shkollës është vrarë Fitim Krasniqi, ndërsa është plagosur Çlirim Blakqori.

Ndërsa vitin e kaluar ka bërë bujë rasti “Duda” – rrahja e një nxënëseje nga një nxënëse tjetër dhe postimi i xhirimit të kësaj rrahjeje në Youtube.