Paraburgim për Delibashiqin

Dragolub Delibashiqit, ish-komandantit të policisë serbe për Mitrovicë, EULEX-i ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Me kërkesë të një prokurori ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK), një gjyqtar ndërkombëtar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar një muaj paraburgim për Dragolub Delibashiqin”, thuhet në komunikatën e misionit evropian të lëshuar të enjten.

Delibashiq, i arrestuar më 4 shkurt, sipas EULEX-it, akuzohet për nxitje dhe kryerje të vrasjes së rëndë me paramendim, duke i privuar  nga jeta personat tjerë për shkak të motivit nacional.

Këto vrasje dyshohet të jenë kryer në vitet 1999/2000, sipas EULEX-it në bashkëpjesëmarrje të Delibashiqit dhe Oliver Ivanoviqit, udhëheqësit të pretenduar të “Rojave të Urës”.

Ky grup pas vitit 1999 ndalonte shqiptarët të kalojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, duke kujdestaruar pranë urës kryesore të lumit Ibër.

Në shkurt të vitit 2000, sipas KMLDNj-së u vranë 10 persona në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërsa mbi 12 mijë prej tyre u zhvendosën në jug të qytetit, ose në pjesë të tjera të Kosovës.

Masa e njëjtë-paraburgim prej një muaji i është caktuar edhe Oliver Ivanoviqit më 28 janar. Ivanoviq po dyshohet për krime lufte të kryera më 14 prill 1999, kur në Mitrovicë u vranë 26 shqiptarë.

Veprimet e Ivanoviqit dhe Delibashiqit, sipas EULEX-it, rezultuan edhe me shkaktim të lëndimeve të rënda trupore te viktimat.

Ndaj paraburgimit për Delibashiqin, palët kanë të drejtën e ankesës, përfundon komunikata e EULEX-it.