Studentët Nuk Ndalen së Kërkuari Dorëheqjen e Rektorit (TV)

Të mbledhur si herën e kaluar te konviktet në Qendrën Studentore, studentët kanë marshuar drejt Rektoratit ku janë pritur nga një numër i kolegëve të tyre dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile.

Për dallim nga herat e kaluara, Policia e Kosovës nuk ka qëndruar te dyert e oborrit të Rektoratit, dhe studentët kanë hyrë lirshëm në oborr, ku janë pritur nga forca policore të cilat ruanin Rektoratin.

Studentët të parit i kanë dhënë fjalën profesorit të Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik, Arben Hajrullahut, i cili ka thënë se është nevojë imediate për vendin tonë që të fillohet me verifikimin e të gjitha diplomave dhe thirrjeve akademike”.

“Në cilësinë e profesorit të UP-së shpreh solidarizimin tim me studentët e bashkuar dhe jopartiakë.  Ftoj të gjitha institucionet e këtij vendi të mbështesin UP-në, që të kthejnë UP-në promotor të dijes dhe zhvillimit. Ky është misioni ynë”, ka thënë Hajrullahu.

Ilir Deda nga organizata KIPRED, ka inkurajuar studentët që të vazhdojnë protestën që sipas tij ka kauzë të drejtë.

“Beteja juaj është e drejtë edhe ka me fitu.  Qytetarët janë në shërbimin tuaj për me fitu këtë kauzë”, tha Deda.

Rektori Ibrahim Gashi dhe këshilltari në Rektorat, Ardian Kasrati, nuk janë përgjigjur në thirrjet e Gazetës Jeta në Kosovë.

Ndërsa, Florie Ahmeti nga Policia e Kosovës tha se deri më tani nuk është raportuar për ndonjë incident, ose ndonjë të shoqëruar në polici.  Sipas saj, në orën 12:00 ka pasur rreth 600 protestues.

Studentët më pas janë ulur dhe kanë brohoritur thirrje kundër rektorit Gashi.  Protesta pritet të përfundojë në orën katër pasdite, kur edhe kryhet orari i punës së rektorit.