Ligji i Ri në Afganistan u Mbyll Gojën Viktimave

Ndryshimi në kodin penal të Afganistanit, ua ndalon të afërmve të të akuzuarve për dhunë në familje që të dëshmojnë kundër tyre, shkruan gazeta britanike The Guardian.

Shumica e dhunës kundër grave në Afganistan ndodh brenda familjes, kështu që ligji i kaluar nga parlamenti, por në pritje të nënshkrimit nga presidenti i vendit, Hamid Karzai – do t’ua mbyllë gojën viktimave dhe shumë dëshmitarëve potencialë për vuajtjet e tyre, thuhet më tutje në shkrimin e gazetës, të publikuar të martën.

Ndryshimi në kod po bëhet në pjesën e quajtur “ndalimi i marrjes në pyetje të një individi si dëshmitar”. Përveç të afërmve të të akuzuarve për dhunë, kodi i ndryshuar ua ndalon dëshminë edhe fëmijëve, mjekëve dhe avokatëve mbrojtës të të akuzuarve.

Sipas këtij ligji, prokurorët nuk do të mund të sjellin në gjykatë rastet si ajo e Sahar Gul-it, fëmijës 15 vjeçar, të kthyer në nuse, të cilën vjehrri e vjehrra e kishin maltretuar, duke e lidhur me zinxhir në bodrumin e shtëpisë, pasi ajo kishte refuzuar të punojë si prostitutë.

Në vitin 2012, tre maltretuesit e saj ishin dënuar me 10 vjet burg, duke shënuar një hap përpara për drejtësinë afgane, por vitin e kaluar, të njëjtët u liruan para kohe për “mungesë provash”.

Edhe Sitara, 31 vjeçare, hunda dhe buzët e së cilës ishin prerë nga burri saj në fund të vitit të kaluar, me ndryshimet në kod nuk do të mund të akuzojë sulmuesin e saj.

Ajo, mezi i shpëtoi tërbimit të burrit, një të varuri nga drogat, kur refuzoi të shesë stolitë e saj për të blerë doza heroine.

Manizha Naderi, drejtoreshë e grupit “Women for Afghan Women” tha se ndryshimi i kodit do ta bëjë të pamundur dënimin e rasteve të dhunës kundër grave.

“Është parodi kjo që po ndodh”, tha Naderi, raporton The Guardian.

Vrasjet për “nder” të bëra nga baballarët dhe vëllezërit që nuk miratojnë sjelljet e grave do të jenë pothuajse të pamundura që të dënohen. Po ashtu, martesat e dhunshme dhe shitja e vajzave për të ndaluar armiqësitë, ose për shlyerje të borxhit, sipas The Guardianit, do të mbeten të pandëshkuara në këtë shtet ku dhuna dënohet shumë rrallë.

Human Rights Watch, një organizatë globale për të drejtat e njeriut,  thotë se ndryshimi i kodit penal të Afganistanit lejon “shpëtimin e dhunuesve të grave dhe vajzave”.

Shkrimi është bazuar në raportimet nga The Guardian