Kryeministri Thaçi Përkrah Rrënimet Në Prevallë (TV)

Fillimisht, kryeministri vizitoi ish-kampin e Prevallës, të cilin e kishte ndërtuar kompania “Is- Company”, e nga e cila nuk ka mbetur asgjë, pas rrënimeve të iniciuara nga MMPH-ja.

Së bashku me ministrin Dardan Gashi dhe kryeinspektorin Bedri Halimi, kryeministri u ndal në pjesën ku ekskavatorët punonin në rrënimin e vilave pa leje.

“Jemi këtu për t’i dhënë mbështetje të plotë aksionit, ose vendimit të Ministrisë së Ambientit për pastrimin e plotë të kësaj zone të mrekullueshme të pjesës së Kosovës”, tha Thaçi.

Kryeminstri Thaçi, tha se bjeshka e Prevallës është bukuri e jashtëzakonshme e Kosovës, e cila duhet të mbrohet nga dëmtimi dhe shëmtimi.

“Veprimet e para veç janë bërë, është pastruar një pjesë e madhe e pjesës që ka qenë më herët e uzurpuar, do të vazhdohet edhe me pjesë tjera, është një aksion që do të përfshihet me katër faza, tani jemi në fazën e dytë”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ndërsa ministri Gashi, falënderoi qeverinë për mbështetjen, ku përmendi edhe vendimin për ndalimin e ndërprerjes së eksploatimit të zhavorrit. Ai më tutje u zotua se ky aksion përveç në Prevallë, do të vazhdojë edhe në tërë territorin e Kosovës.

 “Do të vazhdojmë edhe në zona tjera turistike të Kosovës, ku është degradu njejtë si këtu, që ajo zonë t’u kthehet qytetarëve, t’i kthehet Kosovës, për të mirë të zhvillimit të turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit dhe ky është vetëm hapi i parë. Do të vazhdojmë në gjithë territorin e Kosovës”, tha ministri Dardan Gashi.

Kryeministri Thaçi, tha se nuk është as për t’i favorizuar kolegët e tij, e as për kundërshtarët politikë. Ai tha se prezenca e tij në Prevallë është në favor të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Për më tepër kryeministri i quajti patriotë, ata që investojnë në ambient të mirë.

Në maj të vitit 2013, ministri i Mjedisit Dardan Gashi mori vendim për ndalimin e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në Prevallë, për shkak të tejkalimit të kushteve dhe kritereve për ndërtim.

Më 18 tetor, ministri Gashi urdhëroi rrënimin e Kampit Veror në Prevallë, ku mbi 170 objekte të lëvizshme dhe statike të kampit u larguan, pasi që asnjëri objekt nuk kishte bazë ligjore për këto ndërtime.

Ndërsa më 14 dhjetor, ministria e Mjedisit dërgoi bagerët për të rrënuar 27 objekte pa leje në fshatin turistik të Prevallës.