KDI: Prokurim me Probleme në MPB (TV)

Instituti Demokratik i Kosovës ditën e martë lansoi Raportin e Monitorimit të Prokurimit Publik në  Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në këtë konferencë u dhanë disa nga konkluzionet kryesore që kanë dalë nga monitorimi i kësaj ministrie, ndërsa iu sugjerua prokurimit publik të MPB-së shfrytëzimi sa më i drejtë i parasë publike.

Merita Mustafa, Menaxhere e Projektit Transparenca dhe Llogaridhënia në Prokurimin Publik, tha se  gjetjet që dalin nga raporti janë shqetësuese dhe  dëshmojnë që taksat e qytetarëve  vazhdojnë të shpenzohen në mënyrë të padrejtë , duke favorizuar interesa të ngushta dhe duke i lënë anash ato të publikut.

“Disa prej gjetjeve më kritike janë fakti që nuk ka një planifikim të duhur për produkte që nuk janë të domosdoshme, mandej ka përshtatje të kritereve për kompani të caktuara, ka kritere që janë të mjegullta ku prolongohen projekte të ndryshme”, tha Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Raporti i kësaj organizate të shoqërisë civile tregoi edhe pakënaqësitë e bizneseve të ndryshme me prokurimin e MPB-së

“MPB-ja u ka kufizuar qasjen dhe në këtë mënyrë bizneset nuk kanë arritur të binden nëse përzgjedhja e tenderëve të ndryshëm është bërë në bazë meritore apo të drejtë”, vazhdoi Mustafa. Ajo tha se kanë bërë transparente disa prej ankesave të sektorit të biznesit lidhur me mungesën e qasjes në dokumente zyrtare te kjo Ministri.

Mustafa më pas u ndal edhe te burokracia brenda MPB-së, e cila sipas saj ka penguar edhe projekte për të cilat janë dhënë donacione nga Banka Botërore. Ajo tha se burokracia është absolutisht e panevojshme.

Zyrtarja e KDI-së foli edhe për vonesat e propozimit të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit nga ana e qeverisë. Organi që vlerësohet si një gjykatë e tenderëve, ku mund të ankohen bizneset që mendojnë se u janë bërë padrejtësi të prokurimit, nuk funksionon prej gushtit të vitit të kaluar për shkak se anëtarëve të saj u ka kaluar mandati.

Sa u përket rekomandimeve të dhëna në këtë raport, më kryesor paraqitet përqendrimi më i madh i Qeverisë në përgjithësi, e me theks të veçantë i MPB-së, për të ushtruar një kontroll më të madh në zbulimin e monopoleve të ndryshme si dhe hartimin e kritereve precize që nuk do t’i prolongojnë projektet e ndryshme.

Gazeta Jeta ne Kosove ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme për një reagim rreth kritikave të KDI-së, ndërsa zyrtarë të informimit të kësaj gazete kanë thënë se janë duke përgatitur një komunikatë  për media. Kjo komunikatë nuk është dërguar deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.