Dënohen për Dhënie të Mitës dhe Marrje Ryshfeti (TV)

Shefik Rrahmani teknik i pylltarisë dhe Avdullah Zeneli pylltar janë dënuar me 6 muaj burg për marrje ryshfeti, ndërsa Haziz Hajdari me një vit burg me kusht për shkak të dhënies së mitës.

Sipas aktakuzës tre të pandehurit gjatë periudhës prej muajit prill 2011 deri në korrik të muajit 2012 me qëllim të përfitimit pasuror kanë marrë nga i akuzuari i tretë Haziz Hajdari nga 100 euro në muaj ryshfet, duke i mundësuar këtij të fundit transportimin ilegal të drunjve nga fshatrat Brod dhe Firajë të Komunës së Shtërpcës.

Haziz Hajdari sipas aktakuzës drunjtë i blinte nga persona të tretë në këto fshatra, për t’i shitur në Ferizaj.

Tre të akuzuarit para trupit gjykues nuk  pranuan fajësinë, ndërsa aktgjykimin e lexoi kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi.

Shefik Rrahmanit dhe Avdullah Zenelit, sipas trupit gjykues do t’u njihet në këtë dënim edhe koha e kaluar nw paraburgim që kanë kaluar.

Ekrem Shabani, avokati i Shefik Rrahmanit i quajti provat të papranueshme dhe tha para trupit gjykues se klienti i tij nuk ka marrë ryshfet ashtu siç ngarkohet.