Debati për Privatizimet Shqetëson Odat Ekonomike (TV)

Debati për privatizimin e “Amortizatorëve”, nga kompania Devolli Group në Kuvendin e Kosovës dhe krijimi i një komisioni hetimor si dhe paralajmërimet për shqyrtimin e shumë privatizimeve tjera që kanë ndodhur në Kosovë, ka shqetësuar Odën Ekonomike të Kosovës dhe atë amerikane.

Këto dy oda në një konferencë për media të mbajtur të premten, kritikuan siç thanë ata gjuhën e përdorur në këto debate, ndërsa Safet Gërxhaliu kryetar i OEK-ut tha se kjo odë përkrah transparencën por jo selektivitetin.

“Fillimisht objektivi primar i kësaj ode konsiston në angazhimin e transparencës së plotë për të gjitha proceset që zhvillohen në Kosovë dhe kjo odë do të përkrahë transparencën dhe jo selektivitetin”, tha Gërxhaliu.

Sipas tij OEK-u ka mbajtur të enjten një mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit.

“Oda Ekonomike e Kosovës dje e ka mbajtur një këshill drejtues të jashtëzakonshëm, sepse dëshirojmë që qëndrimet tona rreth debateve të fundit ta kenë mbështetjen institucionale”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu ceku se OEK-u, në cilësinë e përfaqësuesit legjitim dhe ligjor të interesave të sektorit privat në Kosovë ka dalë me disa qëndrime nga kjo mbledhje.

 “Kjo odë u bën ftesë të gjitha institucioneve të angazhohen konkretisht në krijimin e kushteve ligjore dhe kornizës së plotë institucionale që sektori privat të jetë bartës i zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës në Kosovë. Nuk e meriton komiteti i biznesit në Kosovë që falë perceptimit të krijuar të trajtohen të gjithë si kriminelë, por e meriton një tretman dinjitoz”, tha Gërxhaliu.  

Lidhur me gjuhën e përdorur në  parlament, foli edhe Arian Zeka kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, ndonëse asnjë nga ta nuk ka cekur ndonjë citat të veçantë që ata e kanë konsideruar të papërshtatshëm.

“Sektori privat në Kosovë mbetet kontribuesi më i madh dhe kryesor i arkës shtetërore. Prej 20 kompanive më të mëdha që janë taksapagueset më të mëdha të vendit, 16 prej tyre ose 80 për qind, janë kompani të sektorit privat, ndërsa të tjerat janë kompani publike”, tha Zeka.
 
Javën e kaluar ligjvënësit miratuan dy rekomandime të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me privatizimin e fabrikës së Amortizatorëve që gjendet në Zonën Industriale në Fushë Kosovë.

Ngritja e komisionit hetimor u përkrah nga 41 deputetë, u kundërshtua nga 18 dhe u abstenua nga 8 ligjvënës. Rekomandimi për auditimin e privatizimit u përkrah nga 48 deputetë, u kundërshtua nga 13 dhe u abstenua nga 10 ligjvënës.

Kryeparlamentari Krasniqi përgjatë kësaj seance plenare tha se nuk konsideron se debati i ligjshëm do t’i frikësojë investitorët dhe se sipas tij ata që i bëjnë 100 marifete te këqija duhet të frikësohen në koordinim me ata që ua kanë mundësuar këtë.

Vetëvendosja ka thënë se do të dërgojë në parlament edhe privatizimet tjera.