“Majat e Ballkanit” Synojnë Turizëm Ndërkombëtar (TV)

Pas një konference dyditore të mbajtur në Pejë,të mërkurën është bërë nënshkrimi i marrëveshjes në mes të këtyre tri vendeve dhe partnerit gjerman GIZ.

“Majat e Ballkanit”, ishte zgjedhur vitin e kaluar nga Organizata Botërore e Turizmit në Abu Dabi të Arabisë, si fituese e destinacionit të parë turistik botëror për vitin 2013, duke u vlerësuar si formë unike e veçantë dhe atraktive e turizmit malor.

Gazmend Muhaxheri, kryetar i Pejës, njëherësh nikoqir i kësaj konference, ka shpresa të mëdha për këtë projekt.

“Besojmë që ky bashkëpunim do të ndihmojë që “Majat e Ballkanit”, të hyjë në agjendën turistike të Gjermanisë dhe të vendeve të rajonit. Do të jetë një destinacion ku njerëzit që e duan turizmin malor të vijnë dhe të kënaqen me bukuritë e bjeshkëve tona”, tha Muhaxheri.

Ferid Ringaj, nënkryetar i qarkut të Shkodrës, tha se faza e dytë e këtij projekti konsiston me përgatitjen e gjithë infrastrukturës së domosdoshme që ky shteg të jetë i frekuentuar dhe të vizitohet nga sa më shumë turistë.

Sipas tij në fazën e parë të këtij projekti ka përmbajtur përgatitjen dhe piketimin e shtegut kah kalon rruga që lidh këto tri komuna.

Tahir Gjonbalaj, zyrtar i Urbanizmit në Komunën e Plavës, tha se komuna e tij në fazën e parë nuk ka qenë aq e involvuar në projekt.

“Besoj se në fazën e dytë kemi me e dhanë kontributin tonë maksimal që të promovohen vlerat e bukurive tona natyrore të asaj krahine”, tha Gjonbalaj.

Përfaqësuesi i GIZ-it Ekrem Hyseni foli për atraksionin që do të ofroj ky shteg.

Sipas tij me 8 apo 10 ditë ecje nëpër këtë shteg, mund të shihen majat më të larta të tri shteteve.

“Duke e ditur pak edhe nga këndvështrimi gjerman dhe duke e njohur pak edhe tregun apo turistët që kanë dëshirë që për dhjetë ditë me i pa tri shtete të ndryshme, me i vizitu tri komunitete të ndryshme, tre popuj, po them kushtimisht të ndryshëm, me mikpritje, zakone, ushqime, dhe tradita të ndryshme në një xhiro të vetme, kemi qenë të bindur se është një formulë suksesi dhe besoj se këtë e kemi arritur”, tha zyrtari i GIZ-it, sipas të cilit kostoja e këtij projekti ishte rreth 280 mijë euro.

Edhe Ministria kosovare e Tregtisë kishte dërguar përfaqësuesin e vet në këtë konferencë. Halil Bajrami nga Divizioni i Turizmit në këtë ministri, tha se MTI-ja një prej aktiviteteve të veta ka edhe zhvillimin e turizmit ndërkufitar.

“MTI-ja së bashku me MPB-në krijojnë lehtësira që grupet e turistëve të kalojnë shtegun pa kurrnjifarë problemi”, tha ai.

Projektin “Majat e Ballkanit”, do ta implementojë Organizata Gjermane “DAV Summit Club” në bashkëpunim me zyrat regjionale turistike të këtyre qyteteve në afat dyvjeçar, duke filluar nga dita e nënshkrimit të mërkurën.