Orët e Fundit Mund të Shtojnë Kandidaturat

Valmira Selmani nga Zyra për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike në Komisionin Qendror Zgjedhor tha për Gazetën Jeta në Kosovë se vetëm LDK-ja ka paraqitur kandidaturën për zgjedhjet e përsëritura në Mitrovicën e Veriut.

“Deri më tash (16:00) është vetëm kandidatura e LDK-së. Tjetër nuk ka”, tha Selmani.

KQZ-ja konfirmoi se Oliver Ivanoviqi nga SDP-ja nuk ka paraqitur kandidaturën e tij.

Aktualisht, Ivanoviq gjendet që nga dje në paraburgim njëmujor me urdhër të një gjykatësi ndërkombëtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Ivanoviq, lider i subjektit Serbia, Demokracia, Drejtësia, sipas EULEX-it po hetohet për krime lufte dhe vrasje të rëndë të kryer pas luftës.

Ai garoi për kryetar të Mitrovicës Veriore duke humbur garën në përballje me Krstimir Pantiqin e Listës Serbe më 1 dhjetor.

Pantiq ishte i paarritshëm në telefon dhe nuk dihet nëse do të paraqesë përsëri kandidaturën e tij për zgjedhjet e 23 shkurtit.

Ndërsa, Adrijana Hoxhiq, e cila ka garuar si kandidate e pavarur në zgjedhjet e kaluara,  thotë se nuk do të paraqesë kandidaturën e saj. “Pas bisedës me bashkëpunëtorët e mi, kam vendosur që të mos kandidoj përsëri, pasi që herën e fundit jam ballafaquar me një përvojë të hidhur dhe kam qenë e diskriminuar”, tha ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Hoxhiq, e cila është koordinatore e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, shtoi se nga përvoja e fundit është parë se garën duhet ta fitojë dikush nga serbët ose shqiptarët dhe tani nuk dëshiron të jetë pengesë e ndonjë marrëveshjeje politike.

“Sipas informatave që kam do të jenë së paku tre kandidatë, edhe nga shqiptarët edhe nga Lista Srpska, sepse këto zgjedhje nuk guxojnë të dështojnë për shkak se janë pjesë e bisedimeve të palëve me Brukselin”, tha Hoxhiq. 

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga mori vendim që zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut të mbahen më 23 shkurt 2014.

Ky vendim erdhi pasi Krstimir Pantiq me 12 janar kishte afatin e fundit për të bërë betimin e tij sipas këtij ligji, por ai zgjodhi të refuzojë një gjë të tillë.

Ai refuzoi të japë betimin me arsyetimin se në deklaratën me të cilën do të nënshkruante për të marrë detyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore ishin të pranishme stema dhe simbole të tjera të shtetit të Kosovës, të cilat sipas tij ishin të mbuluara me letër ngjitëse.

Miradije Mavriqi, kryesuese e Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike tha se pret më shumë kandidatura për kryetar të Mitrovicës Veriore.

“Afati është deri sonte në orën 24. Zakonisht kanë pritur deri në momentin e fundit”, i tha Mavriqi Gazetës Jeta në Kosovë.