Dëshmitarja e Dinte se Ivani Ishte Mes Paramilitarëve (TV)

Hatixhe Bajrami-Jashari ishte vetëm 19 vjeçe kur NATO-ja po e bombardonte ish Republikën Federale Jugosllave, e në atë kohë ajo po jetonte me 22 anëtarët e tjerë të familjes Bajrami.

Më datën 27 mars 1999 në mëngjes e gjithë familja ishte mbledhur për të shkuar në Prishtinë.

“Jemi bo gati me dalë, pasi që serbët filluan të gjuanin shumë dhe menduam se do të kallin shtëpi”, tha dëshmitarja në gjykimin kundër Ivan Radivojeviqit që po akuzohet për krime lufte.

Ata kishin dalë së bashku dhe kishin shkuar deri te stacioni i autobusëve për të pritur autobusin, në të cilin nuk mundën të hipnin fare.

“Kur erdhi autobusi, menjëherë kanë ardhë serbët. Ata e ndalën autobusin dhe i thanë mbylli dyert dhe vazhdo për në Prishtinë. Neve na urdhëruan të rrimë bashkë”, rrëfeu dëshmitarja.

“Në filluam të qajmë, më kujtohet kur axha Haki Bajrami na tha ‘mos u frikësoni se qenka Ivica këtu’”, shtoi ajo.

Dëshmitarja më pas tregoi se në stacion po prisnin 100 deri në 150 shqiptarë të tjerë për ta lëshuar Fushë-Kosovën dhe se si burrat i kishin ndarë dhe i kishin rrahur 5 metra larg nga ku qëndronin gratë dhe fëmijët.

“Ata i rrihnin me pendrek [shkop të policisë] … aty ishin 10 ose 15 serbë që rrihnin. Na urdhëruan që të mos e kthejmë kokën dhe kush guxonte ta kthente kokën”, tregoi dëshmitarja Jashari.

Dëshmitarja deshi ta mbrojë me trup vëllanë

Dëshmitarja tha se pasi që ishin dëgjuar të shtëna, dikush kishte thënë se i vranë të gjithë, ndërsa ajo ishte kthyer me mendimin se do të dilte me trupin e saj përpara vëllait Bujar Bajramit që i kishte vetëm 16 vjet.

Ajo tregoi se si e kishte tërhequr vëllanë e saj të rrahur shumë nga serbët.

“Ai tha hajde të shkojmë në shtëpi dhe pastaj i ra të fikët [mbeti pa ndjenja]”, tregoi dëshmitarja për gjendjen e vëllait të saj Bujar Bajramit.

Prokurorja Salma Yousef, nga Prokuroria Speciale, kërkoi të dinte më shumë për Haki Bajramin dhe se çfarë kishte ndodhur me të.

Dëshmitarja tregoi se si e kishin marrë Haki Bajramin dhe dy persona të tjerë pasi që serbët e uniformuar ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Mbrojtësi Miodrag Brkliaq, kërkoi të dinte se si ishin rrahur atë ditë shqiptarët. E dëshmitarja i tregoi se ata kishin qenë të ulur në gjunjë dhe po mbroheshin nga shkopinjtë e policisë dhe nga shkelmat e tyre.

Dëshmitarja u ballafaqua me deklaratën e dhënë në polici, ku nuk kishte deklaruar se axha e saj t’i kishte thënë “mos u frikësoni se qenka Ivica këtu”. E ajo u arsyetua me fjalët se nuk është pyetur për këtë detaj.

Pas përfundimit të fjalës së dëshmitares, gjykata njoftoi se dëshmitari Bujar Bajrami ishte në Francë dhe gjasat për ta pasur në gjykatë ishin të vogla, pasi që kishte kërkuar azil në shtetin francez.

Gjykatësi Malcolm Simmons tha njësoj mund të ndodhë edhe me dëshmitaren Naile Bajrami, e cila ishte caktuar të dëgjohej sot.

Ai kërkoi që palët të diskutojnë për mundësinë e leximit të deklaratave.

Pas një pushimi prej 20 minutash palët ishin pajtuar që të lexohet deklarata e Bujar Bajramit, ndërsa për Naile Bajramin të shikohet se cila është gjendja e saj.

Mbrojtja vështirë të gjejë dëshmitarë

Avokati Brkljaq i tha gjykatës se ai kishte paraparë dëshmitarë, por që dëshmitarin Vjeshtica nuk kishte arritur ta gjente pasi që ishte në pension.

Me dëshmitarin tjetër Bisireviq tha se ka kontaktuar, por se ai tani po punonte si polic i rregullt dhe e kishte të pamundur që ta jepte deklaratën pa lejen e eprorëve. Avokati Brkljaq shtoi se edhe pse dëshmitari kishte kontaktuar me eprorët, ata nuk ia kishin lejuar dëshminë.

“Dëshmitari i tretë që quhet Zoran Kapetanoviq jeton në Bushtericë të komunës së Graçanicës ose Lipjanit, por nuk kam informacione të tjera për të”, tha në fund avokati.

Gjykata vendosi që të gjejë informata për dëshmitarin e propozuar dhe shtyu seancën për datën 4 shkurt, kur edhe pritet të përfundojë procedura e provave.